Më 6 Shkurt të vitit 2023, një tërmet i fuqishëm goditi para agimit Turqinë kur njerëzit po flinin, duke shkatërruar mijëra ndërtesa dhe duke i marrë jetën rreth 55 000 njerëzve.

Dy vite pas atij tërmeti, kujtimet dhe vuajtjet mbeten ende të freskëta për të mbijetuarit, të cilët nderojnë të gjithë ata që nuk ia dolën dot.

Qindra njerëz u mblodhën në zonat qendrore të Hatay, një nga qytetet më të goditura nga tërmeti, ku vendosën lule përpara një monumenti që përkujton viktimat.

Shumë qytetarë marshuan nëpër rrugë duke brohoritur se nuk do të harrojnë ata që humbën nga tërmeti, ndërsa të tjerë akuzuan qeverinë për neglizhencë.

Qyteti jugor i Turqisë, i cili dikur ishte një pikë turistike sot karakterizohet nga rrugë të zbrazta dhe shumë biznese që janë mbyllur.

Në Adiyaman, një qytet tjetër i cili u shkatërrua në shkallë të gjerë për shkak të tërmetit, qindra njerëz marshuan nëpër rrugë dhe u mblodhën në një shesh si pjesë e ceremonisë.

I quajtur “fatkeqësia e shekullit” nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tërmeti la gati 2 milionë njerëz të pastrehë. 2 vjet më vonë, rreth 670,000 të mbijetuar jetojnë ende në kontejnerë.

Deri më tani, afro 201,500 shtëpi u janë dhënë të mbijetuarve, ndërsa qeveria thotë se çelësat e 220,000 banesave të tjerave do t’u dorëzohen deri në fund të vitit.

Tërmeti me magnitudë 7.8 më 6 Shkurt 2023 dhe pasgoditjet e tij tronditën 11 provinca turke dhe pjesë të Sirisë veriore, duke vrarë më shumë se 55,000 njerëz dhe duke plagosur më shumë se 107,000.

Klan News