Tensionet sa vijnë e shtohen

Në të njëjtën kohë kur 28 shtetet e Bashkimit Evropian dështuan edhe një herë në Paris, të gjenin një zgjidhje se ku duhet të shkojnë refugjatët e shpëtuar në detin Mesdhe, është Turqia që paralajmëroi sot Brukselin se do të anulojë marrëveshjen e ripranimit të refugjatëve, e nënshkruar në Prill të 2016-s nëse Bashkimi Evropian nuk heq vizat për qytetarët turq. Ultimatumi erdhi nga Ministri i Jashtëm i vendit, Mevlut Çavusoglu në një intervistë televizive.

“Ne nuk do të presim në derën e BE-së. Marrëveshja e ripranimit dhe marrëveshja pa viza do të hyjnë në fuqi në të njëjtën kohë dhe deri atëherë Turqia ka vendosur të pezullojë angazhimet e saj në marrëveshjen e vitit 2016. Ne nuk mund të rrimë duke pritur në derën e BE për 50 vjet të tjera”.

Ankaraja ka penguar trafikimin e refugjatëve që shkonin drejt Greqisë e më tej nëpërmjet Ballkanit në Bashkimin Evropian. Turqisë i janë dhënë 6 miliardë euro për të strehuar dhe ushqyer më shumë se 3 milionë refugjatët sirianë, si dhe ju premtua që në vitin 2016 liria e vizave për qytetarët turq në zonën Shengen.

Klan Plus