Turqia njoftoi se duke filluar nga dita e premte do të hyjnë në fuqi masat e reja kundër pandemisë së COVID-19.

Ministria e Brendshme e Turqisë tha se masat do të përfshijnë kufizime në funksionimin e restoranteve dhe kafeneve, dhe zbatimin e një izolimi të pjesshëm gjatë fundjavës.

Sipas deklaratës, restorantet, kafenetë, qendrat tregtare dhe sallonet e flokëve do të jenë në gjendje të punojnë nga 7.00 në 17.00, ndërsa në restorante do të lejohen vetëm shërbimi “take away” (merre me vete).

Kinematë do të mbyllen deri në fund të vitit, ndërsa shkollat fillore do të kalojnë në mësimin në distancë.

“Ne po përballemi me një situatë serioze. Numri i rasteve dhe vdekjeve kanë arritur një nivel serioz, duke filluar me Stambollin, kështu që ne duhet të jemi më të kujdesshëm”, ka thënë presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Turqia, ka rreth 83 milionë banorë. Të martën raportoi 103 vdekje të reja nga COVID 19, hera e parë që numri i përditshëm arriti mbi 100, që nga 25 prilli.

Deri më tani 11.704 vdekje janë regjistruar nga koronavirusi në Turqi. Shifra vlerësohet të jetë relativisht e ulët kur krahasohen me vendet me popullsi të ngjashme dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vlerësuar Ankaranë për përgjigjen e saj ndaj pandemisë.

Autoritetet turke u kanë kërkuar njerëzve që të mbajnë maska në rrugë nëpër qytete të mëdha që nga korriku. Kjo masë hyri në fuqi në shkallë vendi në muajin shtator./REL