Formula 1 nuk heq dorë për të zhvilluar 23 gara këtë sezon, një rekord për këtë sport, pavarësisht vështirësive që po hasin për shkak të pandemisë. Turqia hyri në kalendarin e garave këtë sezon duke zëvendësuar garën e Kanadasë, por gara e Stambollit më 13 Qershor mund të anulohet.

Shkak është numri i madh i rasteve me koronavirus në këtë vend dhe masat anti-Covid që kanë vendosur disa shtete, duke detyruar karantinë 10-14 ditore për personat që vijnë nga ky shtet. Mediat sqarojnë se rokada e pistave Baku-Stamboll, siç ishte menduar fillimisht, është e pamundur të organizohet.

Për këtë arsye, po mendohet një tjetër modifikim i kalendarit dhe i datave, duke zhvilluar dy gara në pistën austriake të Spielberg. Kjo gjë ndodhi edhe vjet në këtë pistë, që duket se jep garanci. Kështu, mendohet që pas garës së Baku, më 6 qershor, të garohet në Francë dhe më pas dy gara në Austri në fillim e muajit Korrik.

Klan News