Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk nuk i ka kursyer lëvdatat pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, që u zhvillua para fillimit të Samitit të 28 liderëve europianë në Bruksel. Tusk është shprehur se kjo është një javë me lajme të mira për Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se liderët europianë priten të miratojnë konkluzionet e ministrave të jashtëm për hapjen e rrugës drejt negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Europian në Qershor të 2019.

Donald Tusk, Presidenti i Këshillit Europian:

“Të martën, ministrat e BE-së nisën rrugën drejt hapjes së bisedimeve të pranimit me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe me Shqipërinë në Qershor të vitit 2019. Dhe në vetëm disa orë, unë pres që krerët e shteteve të BE-së ta miratojnë këtë vendim”.

Tusk ka përcjellë gjithashtu një mesazh të rëndësishëm lidhur me mosmarrëveshjet e vendeve anëtare për propozimet mbi emigracionin e paligjshëm drejt Bashkimit Europian.

 “Unë sugjeroj që të fokusohemi në kufirin e jashtëm të BE, duke përfshirë edhe projektin e platformave të zbarkimit. Në fakt, kjo do të ishte në linjë me sugjerimet e Kombeve të Bashkuara të shprehura qartësisht në letrën e tyre, të cilën e mora dje. Alternativa ndaj kësaj zgjidhjeje do të ishte avancimi kaotik i mbylljes së kufijve, përfshirë ato brenda BE-së, si dhe konfliktet në rritje midis shteteve anëtare të BE”.

Caktimi i Qershorit 2019 për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë u përshëndet edhe nga Social-demokratët Europianë, të cilët theksuan se dy qeveritë e kryeministrave Rama dhe Zaev hapen rrugën e tyre drejt  BE-së.

Tv Klan