Gazetari Blendi Fevziu raporton nga qyteti lviv

Teksa historia po njeh një nga momentet më të vështira, një ekip nga Tv Klan ka mundur të futet në Ukrainë për të dëshmuar pjesë të luftës me Rusinë.

Gazetari Blendi Fevziu, njëherësh drejtues i emisionit “Opinion”, është ndalur në Lviv, qendrën më të madhe të Ukrainës perëndimore. Lufta duket ende larg qytetit historik, por frika është e pranishme.

“Sot Lvivi është ndoshta zona me e sigurtë e Ukrainës pasi ndodhet larg nga zona e luftës, dhe rreth 80 km nga kufiri me Poloninë. Jeta ne qytet duket shumë e qetë edhe përse mbërritja nga kufiri polak e deri këtu është shumë e vështire”.

Udhëtimi drejt qytetit të Lvivit zgjati përreth 3 orë, për shkak të pikave të shumta të kontrollit të ngritura nga ushtria ukrainase.

“Checkpoint-e jo thjesht për të kontrolluar dokumentet, por të pajisur me mbrojtje antitanke, me pengesa dhe me thasë me rërë për mbrojtjen e qytetit. Janë shumë intensivë, thuajse çdo 1-2 km në afërsi të qytetit dhe 10 km jashtë tij. Ka fortifikime shumë të mëdha që vazhdojnë, pajisje që po dërgohen për të penguar avancimin e tankeve, ndërsa pjesa tjetër e qytetit duket krejtësisht e qetë, pra jeta që ju po shihni këtu”.

Ndërkohë një ekip tjetër nga Tv Klan u pozicionua në kufirin mes Ukrainës dhe Polonisë, duke transmetuar në kohë reale pritjen e refugjatëve dhe dëshmitë e tyre të luftës.

“Kjo radhë që shikoni ju, është radha vetëm e njerëzve që kalojnë në këmbë, por ka edhe njerëz që janë pjesë e strukturave të shtetit polak që i mirëpresin njerëzit”, tha Drini Zeqo.  

Tv Klan