Shkullaku: Të detektojmë interesat e shikuesve, pavarësisht cilës etni i takojnë

Nga sot në mëngjes televizioni Klan Macedonia ka nisur transmetimet nga mjediset e reja në Shkup, saktësisht në Komunën e Sarajit. Për ne, kjo është një ngjarje e shënuar, por edhe një sfidë për të qenë sikurse thuhet, në ballë të detyrës. I ftuar në edicionin e parë të lajmeve, Drejtori i Programit në Tv Klan – Tiranë, Armand Shkullaku, tha se përkundër se projekti u vonua në kohë shkaku i pandemisë së Covid-19, investimi në Klan Macedonia është i barabartë me televizionet që kanë një jetëgjatësi të madhe në treg.

“Megjithatë përveç studiove, përveç investimit, përveç kamerave, teknologjisë që është një investim shumë i madh, mendoj që pjesa më e rëndësishme do të mbetet puna juaj këtu dhe sa do të arrijmë që me kontentin tonë të jemi sa më afër shikuesve, jo vetëm atyre që përbëjnë pjesën shqiptare të popullsisë, por për të gjithë Republikën e Maqedonisë së Veriut, pra synimi është që ky të jetë televizioni i parë në të gjithë Maqedoninë e Veriut”, tha Shkullaku.

Detyra jonë, sipas Shkullakut, do të jetë që të informojmë dhe aty të dallojmë sa mirë e bëjmë këtë, por edhe të detektojmë interesat e shikuesve, pa marrë parasysh cilës etni i përkasin.

“Jetojmë në një periudhë të zhvillimit teknologjik kur televizionet janë në një fare krize identiteti sepse platformat konkurruese në internet dh në platformat tjera e kanë vështirësuar punën e televizioneve,e kanë vështirësuar gazetarinë e vërtetë, informimin e vërtetë dhe qëllimi jonë, misioni jonë duhet të jetë pikërisht kjo gjë që në këtë kaos të informacionit ne të mbajmë drejt busullën tonë, që shikuesit, thashë edhe një herë, qoftë ata të popullsisë shqiptare apo maqedonase të gjejnë një televizion që të jetë sa më afër pritshmërive të tyre”, tha Shkullaku.

Fillimi i transmetimeve nga Shkupi të TV Klan Macedonia përkon edhe me nisjen e fushatës për zgjedhjet lokale të 17 Tetorit. Nga e hëna në mbrëmje, në ekranin e madh të televizionit më të besueshëm në vend, partitë politike dhe kandidatët e tyre për të parët e komunave do të shpalosin platformat dhe objektivat e tyre, ndërkaq menjëherë më pas, analistë e ekspertë të fushës do të analizojnë  cilësinë e këtyre ofertave, se a janë  të kapshme ofertat e tyre për qytetarët apo vetëm premtime boshe.

Klan Macedonia