Situata në fshatrat e Korçës që janë prekur nga tërmeti vijon të jetë problematike. Tv Klan ndodhej në fshatin Floq, aty ku janë ngritur disa çadra nga Shtabi i Emergjencave, për të parë nga afër situatën dhe për të komunikuar me banorët të cilëve u janë dëmtuar banesat. Gazetarja e Tv Klan Erikleda Dorezi pyeti disa prej tyre të cilët jetojnë në çadrat e ngritura.

“Tërmeti ra në mënyrë të përgjithshme. Këto llafe që po të them, i kemi nga e keqja. Kemi dëgjuar që ka dalë një komision, ka vajtur në disa shtëpira që janë të pabanueshme. Tani mua nuk më kanë vajtur kontroll në shtëpi, muret nuk më kanë rënë, plasaritje kam”.

“Kemi tre netë. Unë e kam shtëpinë të re, nuk kam patur dëmtime, por këtu kam ardhur vetëm natën për të fjetur se kemi patur frikë ngaqë u tronditëm që ra tërmeti. E vështirë është, por edhe në shtëpi kam patur frikë që të fle nga tërmetet se kanë vazhduar. Vetëm unë kam ardhur, burri nuk ka ardhur, edhe djemtë, se thonë të venë ata që janë më keq”.

Ndërkohë, ditën e nesërme drejt Korçës do të udhëtojë edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ku do të zhvillojë mbledhje me Shtabin e Emergjencave dhe më pas do të takohet me banorë të fshatit Floq. /tvklan.al