Studimi: Ka dyfishin e audiencës së Top Channel

Pjesa më e madhe e shqiptarëve ndjekin televizionin kombëtar Klan, si kanalin më të mirë në Shqipëri. Të dhënat dalin nga një studim në kuadër të projektit “Cilësia e lajmeve të transmetuesve televizivë shqiptarë, i kryer nga Fakulteti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, me mbështetjen e Laboratorit të Dinamikës Sociale dhe Rikompozimit të Hapësirave, një unitet multidisiplinor i shpërndarë në 4 site universitare në Paris, Revistës Europiane të Medias, Shkollën Europiane të Biznesit në Paris e Shkollës së Biznesit IPAG.

Ky studim, që në grupin e kërkimit shkencor ka 12 emra të njohur në fushën e gazetarisë, është i shtrirë gjerësisht në të gjithë vendin dhe është realizuar për një periudhë të gjatë kohore.

41 përqind e të anketuarve e kanë renditur Televizionin Klan si të parin, të ndjekur më pas nga Top Channel me rreth 24 përqind, Vizion Plus me rreth 4 përqind dhe TVSH me rreth 3 përqind. Shumica e shikuesve ia besojnë Tv Klan edhe informimin mbi lajmet më të rëndësishme të ditës.

Sipas studimit, rezulton se pavarësisht numrit të madh të kanaleve televizive, 63.5 përqind e qytetarëve të anketuar preferojnë t’i ndjekin edicionet qendrore të lajmeve, ato të orës 19:30, kryesisht në dy televizionet komerciale kombëtare gjeneraliste, sikurse janë Tv Klan dhe Top Channel.

Nga ky total, edicionet qendrore të lajmeve të Tv Klan tërheqin thuajse dy herë më shumë parapëlqime audiencash sesa edicionet qendrore të  Top Channel, thuhet në studim.

Për edicione qendrore, shikueshmëria është rreth 40 përqind kundrejt rreth 20 përqind të Top Channel.

Televizioni Klan rezulton se ka edhe numrin më të madh të lajmeve me burimet e veta, me 57.4 përqind kundrejt 36.6 përqind të Top Channel apo 43.1 përqind të Vizion Plus

Duke u ndalur në cilësinë e lajmit, studimi thekson se Tv Klan dallon nga kanalet e tjera në mbulimin e gjerë të ngjarjeve dhe risinë që sjell në to.

“Tvklan u bën lajmeve një shpërndarje të kujdesshme, duke e zgjeruar gamën e tyre jo vetëm në aktualitetin e Tiranës, por edhe në atë lokal, rajonal dhe nënlokal, dallueshëm në këtë pikë kur krahasohet me TCH”, thekson studimi.

E njëjta rezulton dhe përsa i përket mbulimit të rubrikave, sociale, politike, kronike, ekonomi etj., ndërsa studimi del në përfundim se Tv Klan rezulton të jetë një nga kanalet më të balancuara ndaj pozicionimit politik.

Ky studim ka risjellë në vëmendje edhe pozicionimin e audiencës së televizioneve rreth 20 vjet më parë, ku sërish Tv Klan rezulton televizioni më i ndjekur me 21.5 përqind, TVSH me 17.1 përqind apo Top Channel me 11.9 përqind.

Rezultati i këtij studimi për shikueshmërinë e lajmeve, është i njëjtë dhe me studimet e tjera të matjes së audiencave televizive, ku në tregun mediatik aktual shqiptar, televizioni Klan është absolutisht më i ndjekuri më minimalisht dyfishin e audiencës nga televizioni i dyte në radhë.

Tv Klan