Platforma dixhitale e Televizionit Klan tani mbulon edhe Beratin, Kuçovën, Urën Vajgurore, Poliçanin dhe fshatrat përreth tyre, me sinjal High Definition.

Ka përfunduar instalimi i platformës dixhitale të Televizionit Klan në malin e Goricës. Ky investim për zonën që shihet nga maja e këtij mali, është i pari dhe i vetmi i realizuar nga një televizion shqiptar në këtë qark.

Asnjë transmetim tjetër dixhital tokësor nuk mbulon me sinjal këtë zonë të Shqipërisë, përveç sinjalit të platformës së Televizionit Klan. Ky investim i Televizionit Klan u realizua nga kompania e projektimit dhe instalimit TBS 96, në bashkëpunim me kompaninë italiane SIRA dhe SYES, me pajisjet më bashkëkohore të transmetimit dixhital High Definition.

KLAN BERAT

Platforma e parë dhe e vetme për Beratin, Kuçovën, Urën Vajgurore, Poliçanin dhe fshatrat përreth, do të transmetojë si fillim kanalet Klan HD, ABC News HD dhe Klan Kosova HD dhe shumë shpejt ajo do të transmetojë mbi 15 kanale. Kjo platformë ka kapacitet të transmetojë edhe të gjithë kanalet televizive lokale të zonës.

Sinjali i kësaj platforme merret direkt nga aparati i televizorit, pa patur nevojë për dekoder, mjafton që televizori të jetë i prodhuar për të marrë sinjalet dixhitale tokësore. Antena e thjeshtë, duhet të drejtohet drejt stacionit në malin mbi lagjen Goricë.

Deri tani, platforma dixhitale e Televizionit Klan, mbulonte me sinjal rrethet Tiranë, Durrës, Krujë, Laç, Lezhë, Shkodër, Kavajë, Fier, Vlorë, Elbasan, Korçë, Devoll, Delvinë, Sarandë dhe gjysmën e Korfuzit.

https://www.youtube.com//embed/sh6nQFUudrM

Pas këtij investimi për Beratin, Kuçovën, Urën Vajgurore dhe Poliçanin, kompania më e madhe për transmetimet dixhitale tokësore në Shqipëri, Televizioni Klan, do të fillojë punën për investimin e mbulimit me sinjal të disa zonave që nuk mbulohen ende nga asnjë transmetim dixhital, ato të veriut të Shqipërisë, në Dibër, Kukës dhe Tropojë.

Platforma e Peshkopisë pritet të përfundojë brenda muajt Shtator. Ky investim bën të mundur mbulimin me transmetime dixhitale High Definition të platformës Klan, të rreth 76 përqind të popullsisë në vend, duke u bërë kështu e para dhe e vetmja platformë dixhitale e këtyre përmasave në Shqipëri.

Tv Klan