Rrjeti social Twitter, për herë të parë, i etiketoi dy postime të Presidentit amerikan Donald Trump, si “të pabaza” dhe tha se ai po përhap pretendime të rreme.

Postimet e Trump “pretendojnë në mënyrë të pavërtetë” se votat me postë do të sjellin “zgjedhje të falsifikuara”, tha Twitter.

Nën postimet e tij, kompania ka shkruar me ngjyrë të kaltër: “Sillni fakte për votat me postë”.

“Kontrolluesit e fakteve thonë se nuk ka prova që fletët e votimit me postë lidhen me mashtrim të votuesve“, tha Twitter.

Trump reagoi duke e akuzuar kompaninë për “ndërhyrje” në zgjedhjet presidenciale të këtij viti në SHBA dhe tha se Twitter i bazon informacionet e tij në “lajme të rreme”.

“Twitter është duke e mbytur plotësisht fjalën e lirë dhe unë, si president, nuk do ta lejoj që të ndodhë kjo”, shkroi Trump në Twitter.

Vendimi i kompanisë për të etiketuar postimin e presidentit vjen pasi ajo është vënë nën presion të shtuar për të mos lejuar përhapjen e lajmeve të rreme dhe llogaritë e rreme. /REL