Shkaqet ende mbeten të paqarta dhe vendimi vjen pasi Musk i bëri thirrje punëtorëve të punojnë me orë të gjata

Twitter ka mbyllur zyrat përkohësisht dhe ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë. Sipas asaj që raporton BBC zyrat do të rihapen të hënën më 21 Nëntor.

Shkaqet e mbylljes ende mbeten të paqarta. Njoftimi vjen mes raporteve se një numër i madh i stafit po largohen pasi Elon Musk u bëri thirrje atyre që të punojnë me orë të gjata me intensitet të lartë. Në njoftimin për punëtorët është thënë, po ashtu, që ata duhet të vazhdojnë të veprojnë në përputhje me politikat e kompanisë, dhe të mos diskutojnë informacion konfidencial në rrjetet sociale, në media, apo diku tjetër.

Më herët gjatë këtij muaji, Twitter ka bërë të ditur se do të zvogëlojë numrin e punëtorëve për 50 për qind. Para se Musk të merrte kontrollin e Twitterit, kompania ka pasur rreth 7.500 punëtorë. Punonjësit kanë postuar në Twitter duke përdorur hashtagun #LoveWhereYouWorked dhe një emoji përshëndetëse për të treguar se po largoheshin nga firma. Gjigandi mediatik më herët kishte punësuar mijëra punëtorë me kontratë, shumica e të cilëve janë pushuar nga puna.

Personi më i pasur në botë u bë shefi ekzekutiv i Twitter pasi bleu firmën muajin e kaluar në një marrëveshje prej 44 miliardë Dollarësh. Por të ardhurat e kompanisë janë në rënie pas largimit të punonjësve.

Shqetësimi tanimë është ngritur se Twitter mund të mbushet me llogari të rreme. Dorëheqjet së fundmi dhe largimet nga kompania mund të rrisin rrezikun e shkeljes së rregullave të privatësisë nga Twitter. Firma u gjobit me 150 milionë Dollarë në Maj për shitjen e të dhënave të përdoruesve por tanimë duhej të pajtohej me rregullat e reja.

Klan News