Më 30 prill të 2020-ës, emisioni “Stop” transmetoi rastin e një divorci të vështirë mes dy bashkëshortëve. Pas divorcit, kujdestaria e djalit 2-vjeçar i kaloi nënës, duke njohur të drejtën e takimeve me babain, Fabian Dogra.

Po mamaja e të miturit u largua nga Berati dhe shkoi në Vlorë, duke mos e zbatuar vendimin e gjykatës dhe mos lejuar takimin atë e bir. Çështja iu referua përmbaruesit shtetëror Julian Plaka, i cili tha, se ka ndjekur të gjithë procedurën ligjore, por babai nuk e di as ku ndodhet djali.

Gazetarja e “Stop” komunikoi edhe me të ëmën e fëmijës, Danielën, e cila pretendoi, se ish-bashkëshorti nuk kishte shlyer detyrimin ushqimor. Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop” ky ngërc u zgjidh dhe Fabian Dogra shprehu falenderimet, që pas disa muajsh arriti të shohë të birin, madje duke festuar edhe 2-vjetorin e tij.

Qytetari Fabian Dogra: Përshëndetje “Stop-i”! Jam Fabian Dogra nga Berati dhe para pak kohësh kam kërkuar ndihmë tek emisioni “Stop”, për të takuar djalin tim, kur ish-bashkëshortja ime nuk ma lejoi, që të takoja djalin. Dhe falë emisionit “Stop” të mrekullueshëm, që juve jeni, unë arrita, që ta takoj djalin. Bëri edhe 2 vjeç më datë 1 korrik, e mora në takim djalin.

Gazetarja: Edhe 100 djali Fabian, të paktën e paskeni festuar bashkë.

Qytetari Fabian Dogra: Shumë faleminderit! Po, po shumë faleminderit prej jush!

Gazetarja: U sheshuan debatet me ish-bashkëshorten?

Qytetari Fabian Dogra: Deri diku mirë.

Gazetarja: Deri diku mirë.

Qytetari Fabian Dogra: Po, deri diku mirë!

Gazetarja: Po.

Qytetari Fabian Dogra: Po!

Gazetarja: Unë të përshëndes dhe më bëhet shumë qejfi që je ribashkuar me djalin tënd.

Qytetari Fabian Dogra: Po shumë faleminderit edhe nga juve! Ju falenderoj jashtë mase për punën, që bëni. Ju falenderoj shumë nga zemra juve! Shumë faleminderit!/tvklan.al