Janë identifikuar dy personat të cilët u arratisën nga burgu Avlonas në Greqi mbrëmjen e së hënës rreth orës 21:40. Media greke zougla.gr, e cila ka siguruar dhe fotot e tyre raporton se bëhët fjalë për shtetasin shqiptar Albion Xhezairi 23 vjeç dhe një sirian me inicialet Ag. Ab, 21 vjeç.

Mësohet se jashtë perimetrit të burgut ndodhej një oficere policie, e cila pasi dalloi të burgosur teksa po arratiseshin qëlloi në ajër në mënyrë që t’i trembte. Në këtë moment një prej tyre u rrëzua për pak çaste në tokë, por më pas u ngrit dhe e goditi policen në fytyrë, duke u larguar më pas me shpejtësi.

Dy të burgosurit janë identifikuar si persona me rrezikshmëri të lartë. 23-vjeçarari shqiptar është dënuar me 16 vite burg në Greqi, pasi akuzohet për vrasje dhe trafik droge.

Por Albion Xhezairi konsiderohet një person me rrezikshmëri të lartë edhe në Shqipëri. Ai akuzohet nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Aleksandër Bardhit, më 24 Shtator të vitit 2016, në Sarandë. Eliminimi i Bardhit i hapi rrugë një serie vrasjesh të dyshuara për hakmarrje.

Arratisjen nga burgu të shqiptarit dhe sirianit e ka konfirmuar ministria e Drejtësisë e cila bën më dije se ka nisur dhe një hetim i brendshëm në burg.  Kërkimet për gjetjen e tyre janë duke vazhduar./tvklan.al