Gjykata i ndryshoi masën e sigurisë, Shkëlqim Korbit për arsye shëndetësore

Gjykata e Posaçme i ka ndryshuar masën e sigurisë Shkëlqim Korbit, ekspertit që u akuzua nga SPAK se lëshonte akt-ekpertiza të rreme për të ndihmuar të dënuarit që të dilnin nga burgu. Togat e zeza pranuan kërkesën e tij për zëvendësim të masës së sigurisë nga arrest në burg në arrest në shtëpi, për shkak të problemeve shëndetësore. 

Ai u arrestua së bashku me ish-gjyqtaren Enkeleda Hoxha dhe 8 persona të tjerë, pasi dyshohet se ishin të përfshirë në korrupsion. Sipas dosjes së SPAK mjeku lëshoi një ekspertizë të rremë në mënyrë që të përfitonte lirinë e parakohshme me kusht Gentian Nezaj dhe Saimir Petani.

Sipas dosjes hetimore emri i Korbit përmendet edhe për një tjetër çështje, atë të të arrestuarit Orjol Keçi, i pandehur për veprën penale “Dhunë në familje”. SPAK thekson në dokumente se  Korbi ka lëshuar një akt ekspertimi mjeko-ligjor  në favor të të pandehurit.

Në përgjimet që disponon prokuroria e posaçme sqarohet se ekspertimi mjekoligjor, është bërë në mënyrë të kundërligjshme për të favorizuar Orjol keçin. Po ashtu thuhet se i pandehuri vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe për këtë arsye është vendosur pushimi i çështjes nga Gjykata e Matit.

Në bazë të përgjimeve dhe provave të mbledhura nga Prokuroria e Posaçme, Shkëlqim Korbi akuzohet se ka kryer elementë të veprës penale “Ekspertim i rremë”. Ish-gjyqtarja e Krujës Enkelda hoxha, avokati Aldo Tabaku dhe 8 personat e tjerë vazhdojnë që të jenë në qeli. 

Klan News