Prokuroria: Nuk u gjetën prova për përdhunimin

Shefi i stacionit të policisë në Fushë-Arrëz u lirua këtë të shtunë pas arrestimit një ditë më parë nga kolegët e tij me urdhër të Shërbimit për Çështje të Brendshme dhe Ankesa. Prokuroria thotë se nuk ka prova që Izmir Duraku të ketë kryer përdhunimin e vajzës brenda ambienteve të Komisariatit të Shkodrës 5 vite më parë.

Sipas denoncimit të një 22-vjeçareje, në Prill të vitit 2015 ajo kishte shkuar në polici për të denoncuar disa punonjës të Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër, se e kishin përdhunuar.

Izmir Duraku mbante në atë kohë detyrën e shefit të krimeve. Në dëshminë e vajzës thuhet se pasi kishte dëgjuar rrëfimin e saj, Duraku e kishte përdhunuar brenda në komisariat.

Pak pas prangosjes, Duraku u përjashtua me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë nga radhët e uniformave blu, ndërsa denoncuesja është strehuar në një qendër sociale dhe është marrë në mbrojtje nga autoritetet shtetërore. 

Policia njoftoi se përveç dëshmisë së 22-vjeçares kishte siguruar prova të pakundërshtueshme ndaj Durakut, por prokurori thotë se ato mungojnë duke urdhëruar lirimin e tij dhe duke e cilësuar arrestimin të paligjshëm.

Tv Klan