Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur ekstradimin në Gjermani të 24-vjeçarit nga Taxhikistani Komrom Zukhurov.

I riu u arrestua në Tiranë në fillim të muajit Maj me kërkesë të autoriteteve gjermane. Ai akuzohet si pjesë e një celule terroriste të lidhur me ISIS.

24-vjeçari kishte shprehur dakordësinë për t’u ekstraduar në Gjermani për t’u përballur me akuzat, por refuzonte ekstradimin më pas në Taxhikistan. Pikërisht në këtë pikë, GJKKO ka dhënë vendimin për ta ekstraduar në Gjermani 24-vjeçarin Zukhurov, me kushtin që të mos ekstradohet në Taxhikistan.

5 anëtarë të celulës ku dyshohet se bënte pjesë 24-vjeçari u arrestuan nga policia gjermane në datë 15 Prill në Berlin. Mediat gjermane, qe u referohen burimeve zyrtare, shkruajnë se dy nga anëtarët e kësaj celule kishin udhëtuar më herët në Shqipëri për të kryer një atentat ndaj një biznesmeni shqiptar në fushën e hidrokarbureve, në këmbim të 40 mijë dollarëve, por plani i tyre dështoi. /tvklan.al