Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, u plagos me armë në vitin 2016 në një lokal në Lushnje, ngjarje për të cilën është dënuar në mungesë me 18 vite burgim Laert Haxhiu. Ky i fundit vijon të jetë në kërkim për këtë ngjarje.

Babai i Laertit, Qamil Haxhiu ka treguar për emisionin “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus arsyen përse nisi konflikti mes djalit të tij dhe nipit të Aldo Bares.

Ai flet për një ofendim, që sipas tij, Xhulio Shkurti i bëri djalit të tij Laertit. Sipas deklaratave të Qamil Haxhiut, sherri nisi për makinën e Laert Haxhiut, për të cilën Xhulio Shkurti i kishte kërkuar llogari ku i kishte gjetur paratë për ta blerë.

Gjatë intervistës, Qamil Haxhiu thotë se djali i tij u kërcënua nga Xhulio Shkurti, duke i kujtuar masakrat që kanë ndodhur në vitin 1998 në qytetin e Lushnjes, kohë kur u vra nipi i Qamil Haxhiut.

Qamil Haxhiu: Asnjë gjë, ata dhe atë veprim që bëri që plagosi Xhulio Shkurtin me atë tjetrin, e bëri se ata e shanë, e ofenduan. Prandaj nuk kanë të drejtë ata të shajnë e të ofendojnë njerëzit.

Pyetje: Po çfarë i thanë?

Qamil Haxhiu: Po nga më të ndryshmet, u bëre ti legen, do të ta bëjmë siç ta bëmë në ’98.

Pyetje: Çfarë ndodhi atëherë?

Qamil Haxhiu: Ndodhi atëherë ata i kanë djegur vëllait tim shtëpinë, edhe na kanë vrarë dhe një nip.

Pyetje: Përse nisi konflikti?

Qamil Haxhiu: Konflikti nisi se këta i thonin ku i ke gjetur lekët ti që ke blerë makinë. Atëherë për çfarë punojmë ne? Për mirëqenien e fëmijëve punojmë. Nuk punojmë ne që t’i lëmë fëmijët rrugës.

Pyetje: Pra vetëm për një makinë ka nisur konflikti?

Qamil Haxhiu: Po, konflikti i atyre… Ç’kanë ata se ku i gjen lekët djali im. Apo janë të fortit e Lushnjes ata dhe ekziston akoma ligji i xhunglës tek ata? Ata janë të fortit e Lushnjes dhe mund të bëjnë çfarë të duan me lushnjarët? Jo s’është kjo e vërteta. E vërteta është kjo që shteti duhet të jetë balancë për të gjitha gjërat, duhet të jetë peshë e forcës së ligjit. Kushdo që të ngrejë kokë kundër ligjit, duhet t’i presi kokën. Nuk ka këtu je i fortë s’je i fortë. Këtu ka ligj, dhe kur ka ligj atëherë përpara ligjit jemi njëlloj të gjithë.  /klan plus