Ervin Salianji ka mbërritur në ambientet e selisë së Partisë Demokratike për të marrë pjesë në mbledhjen e Kryesisë së kësaj force politike që pritet të nisë pas pak minutash.

Në oborrin e selisë e kanë pritur mbështetës dhe struktura të Partisë Demokratike, të cilët e kanë përshëndetur.

Prania e Salianjit në mbledhjen e Kryesisë së PD-së vjen pas vendimit të sotëm të Gjykatës së Apelit për të lënë në fuqi atë të Shkallës së Parë për dënimin e demokratit me 1 vit burg për çështjen “Babale”.

Sjellim në vëmendje se Salianji u dënua nga Shkalla e Parë për kallëzim të rremë në lidhje me përgjimet në Maj të vitit 2018.

Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin.

Sipas prokurorëve, të katërt të akuzuarit, për qëllime politike kanë krijuar një provë të rreme përmes një audio-përgjimi se Geron Xhafaj, vëllai i ish-Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka kryer vepër penale të trafikimit të lëndëve narkotike./tvklan.al