Alida ka ardhur nga Anglia në “Ka Një Mesazh Për Ty” dhe ka ftuar shoqen e saj të ngushtë, Entelën. Miqësia e tyre ka kapërcyer limitet dhe ato e quajnë njëra-tjetrën motër, sidomos Alida e cila është vajzë e vetme mes vëllezërish. Motrën e saj e ka njohur në Angli dhe mes shumë gëzimeve e vështirësive që kanë ndarë së bashku, Alida veçon dy vitet e fundit, të cilat kanë qenë një sfidë për jetën. Entela ka qenë gjithnjë në krahun e saj, por se çfarë i afroi edhe më shumë, ajo e tregon në programin “E diela shqiptare” në Tv Klan.

Alida: Unë vij nga një eksperiencë shumë e vështirë këto dy vitet e fundit. Në vitin 2020 unë pajisem me dokumenta, në atë kohë ishte gjendja e pandemisë dhe ishte karantinë, ishte çdo gjë e mbyllur dhe unë do bëja 40-vjetorin. Dhe çfarë bëri motrushja? Organizoi festë surprizë për mua ndërkohë që nuk lejoheshin të mblidheshin grupe sepse gjobiteshe. Në 9 të mëngjesit, hap derën e shtëpisë unë dhe gjendem para 15 vetave dhe i them “moj e di ti se ç’do ndodhë se është karantinë?” Dhe ajo tha “e paguaj unë gjobën, sot do festosh, ke 40-vjetorin”.

U gëzova, qava nga lumturia, kaloi një ditë e jashtëzakonshme, por që nuk zgjati shumë. Vetëm një muaj e gjysmë më vonë shkoj për një kontroll rutinë dhe diagnostikohem me sëmundjen e kancerit të gjirit dhe do bëhesha operacion në mënyrë të menjëhershme. E vetme sepse ishte gjendja e tillë, spitaleve, rashë në një gjendje depresive, por motrushja ishte aty gjithmonë për mua. Për forcë, për mbështetje.

Ardita Gjebrea: Kujt i tregove për këtë sëmundje?

Alida: Personi i parë ishte Telushja. Ajo punonte në atë kohë në farmaci dhe kishte njohuri për sëmundjen e kancerit të gjirit. Pasi unë bëra ekzaminimet dhe prisja përgjigjen e biopsisë, më duhej të prisja dy javë, unë i lutesha Zotit çdo ditë që të mos ishte sepse thonin që edhe mund të mos ishte dhe ajo më përgatiste, “Lida lutu të jetë në fazat e para sepse mjekësia ka evoluar dhe ti do ia dalësh, ne do ia dalim bashkë, çfarëdo që të jetë”.

Mbrapa pastaj ajo më thotë që “unë e dija me shenjat që më kishe treguar dhe fotot që kisha parë dhe ekzaminimet që të ishin bërë, unë e dija që ti e kishe, por lutesha e qaja çdo natë që të ishe në fazat e para” dhe ashtu ndodhi. Sëmundja ishte në fazat e para, por kanceri ishte shumë agresiv, i gradës së fundit. Vazhdova, bëra operacionin por mora dhe vendimin që nuk do i tregoja asnjeriu.

Ardita Gjebrea: Bashkëshortit i tregove?

Alida: Bashkëshorti më shoqëronte, por fëmijëve jo. Edhe kundra dëshirës së bashkëshortit, i thashë “unë nuk do iu tregoj” sepse djalin e madh e kisha në prag të provimeve, do merrte diplomën.

Ardita Gjebrea:Po prindërit?

Alida: Prindërve jo e jo. Ata më prisnin çdo ditë se kur do më shikonin se më kishin dalë dokumentat. Nuk iu thoja dot se babain e kam me tre infarkte, kështu që do ishte sikur t’i thoja ik e vdis. Një vit e gjysmë ata nuk kanë ditur asgjë./tvklan.al