Ana, një telefonuese nga Durrësi në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, mendon se fëmijët mund  të shkollohen jashtë vendit, por nuk do mund të kthehen.

Argumenti i saj është se nuk do mund të gjejnë dot nxitjen dhe motivimin për t’u kthyer për shkak të pagave apo edhe lehtësirave të tjera që mund të gjejnë në një shtet tjetër. Telefonuesja merr si shembull krahasimi sëmundjen e saj, për të cilën iu desh të trajtohej në Shqipëri e Itali dhe vuri re kontrast në rrugëtimin e saj.

Ana: Ne si familje, unë dhe bashkëshorti im, të dy i kemi pasur mundësitë për të jetuar jashtë shtetit.  Unë sapo i kam bërë letrat për në Itali, jo nga dëshira, por nga halli. Para 4 vitesh u diagnostikova me kancer dhe këtu në Shqipëri më kërkuan që të hiqja njërin gjoks. Ndërkohë që pasi u konsultova me shumë mjekë këtu, u detyrova të kërkoj edhe një mendim nga Italia se çfarë do thonë.

Aldo: Pa diskutim, siç bëjnë të gjithë.

Ana: Normalisht kërkoja më të mirën për veten time. Në Itali, sigurisht që isha me kancer, ishte e pamundur që të thoja që nuk e kisha kancerin, por nuk e hoqa gjoksin, më hoqën pjesën e sëmurë, më kuruan dhe normalisht u ktheva sërish në Shqipëri. Kaluan 4 vite normalisht me trajtime, mjekime, gjilpëra…

Aldo: Protokolli që bëhet në raste të tilla, po.

Ana: Normalisht gjëra që duhen bërë dhe duhej t’i bëja se s’bën. Sigurisht që gjithë trajtimet i kam marrë nga jashtë, ndërkohë që këtu kam bërë vetëm rreze në Tiranë dhe gjithë trajtimi që bëra në Itali, e përjetova sikur kisha thjesht një grip. Ndërsa kur u ktheva këtu, që bëra vetëm rrezet sepse ekonomia nuk më lejonte t’i bëja të gjitha atje, rrezet i bëra këtu dhe pothuajse arrita në depresion./tvklan.al