Gjykata e Posaçme ka vendosur lënien në burg të Lulzim Berishës, ish-kreu i bandës së Durrësit që u ekstradua dy ditë më parë nga Spanja.

Në një raportim gazetarja e Klan News Glidona Daci bën me dije se ai akuzohet për dy vrasjet e ndodhura në vitin 2005 që janë zbardhur nga bashkëpunëtori i drejtësisë Luftar Reçi.

Ndërkohë që gjatë seancës Berisha ka kundërshtuar deklarimet e Luftar Reçit në lidhje me këto vrasje dhe ka arritur të provojë që nuk ka marr pjesë në ekzekutimin e Vajdin Lamajt.

“Nuk e njoh fare atë njeri, nuk e kam takuar asnjëherë. Nëse më provoni një kontakt më dënoni sa të doni. Njëlloj siç më ra akuza tjetër, njëlloj do të bjerë edhe kjo”, mësohet të ketë thënë Lulzim Berisha në seancë.

SPAK njofton mbi të rëndojnë veprat penale si: “Vrasja me paramendim” në dëm të shtetasit K.S, “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit O.T, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Ish-kreu i bandës së Durrësit u arrestua në Dhjetorin e 2024-ës në Spanjë pas shkëmbimit të informacioneve me autoritetet e drejtësisë shqiptare.

52-vjeçari u shpall në kërkim në Janar të vitit 2022 për vrasjen Klodian Saliut, krim i ndodhur në 2005.

Në vitin 2016 ai arriti të dilte nga burgu pa e mbyllur dënimin prej 25 vitesh, duke u liruar me kusht nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës me pretendimet e shkaqeve shëndetësore. Por Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin e lirimit të tij me kusht.

/tvklan.al