Fqinji i arrestuar: E vrava për vetëmbrojtje

“Doja të mbrohesha”. Këto janë fjalët e Lorenzo Rivani, 63-vjeçari i cili të shtunën vrau fqinjin e tij shqiptar gjatë një zënke në Novara të Italisë.

Rivani ndodhet aktualisht në burgun e Novara-s, pasi arrestimit dhe marrjes në pyetje. Sipas versionit të tij të përcjellë nga mediat italiane, sherri me viktimën, 59-vjeçarin Caf Nikaj, degjeneroi dhe goditja fatale që i dha në bark me një thikë kuzhine, ka ndodhur në vetëmbrojtje. Hetuesit po punojnë për të kuptuar nëse bëhet fjalë vërtetë për një zënkë që shkoi keq, apo për një hakmarrje të paramenduar, duke qenë se fqinjët kishin pasur debate të vazhdueshme.

Kush janë viktima dhe autori: Caf Nikaj jetonte prej shumë vitesh në Itali me bashkëshorten, në një bllok apartamentesh në rrugën Valsessia, në shtëpinë e një të moshuari për të cilin punonte. Ndërsa Rivani banonte në katin më sipër, vetëm. Fqinjët tregojnë për debate mes të dyve, shpesh për biçikletën e Rivanit, të cilën ai e linte të parkuar në hyrjen e përbashkët të pallatit, megjithatë askush nuk mendonte që këto përplasje të çonin deri në vrasje.

Zënka dhe thika: Versioni i Rivanit, që thuhet se është nën shok, nuk është i plotë. Sipas të dhënave të para, Rivani dhe Nikaj u takuan rastësisht në rrugë. Aty nisi një debat dhe njëri prej tyre nxori thikën. 59-vjeçari shqiptar mbeti i plagosur rëndë dhe ishte pikërisht Rivani që telefonoi policinë, duke i thënë se e kishte goditur fqinjin në vetëmbrojtje, duke u kthyer më pas në apartamentin e tij ku dhe u gjet nga agjentët e policisë. Rrobat me gjak i kishte ende veshur, ndërsa në trup kishte dhe plagë sipërfaqësore, ndoshta të ndodhura gjatë përplasjes me viktimën.

Vdekja dhe arrestimi: Gjendja e Nikajt ishte menjëherë e rëndë. Shërbimet e emergjencës që mbërritën në vendin e ngjarjes, e gjetën duke e zvarritur në rrugë për ndihmë. Ndonëse u dërgua me urgjencë në spital, ai humbi jetën në reanimacion. Plaga që kishte marrë ishte e rëndë dhe shqiptari kishte humbur shumë gjak./tvklan.al