Emisioni Uniko nga Spartak Koka në televizionin Klan Plus ka trajtuar historinë e 22-vjeçares Sonila Cani, e cila humbi jetën në Torino të Italisë në datë 21 Mars. Ngjarja është raportuar si vetëvrasje, ndërkohë që autoritetet italiane vazhdojnë hetimet për këtë rast pasi ka dyshime që Sonila mund të jetë vrarë.

Gazetari Spartak Koka ka biseduar me prindërit e 22-vjeçares, të cilët kanë shumë pikëpyetje për rrethanat e humbjes së jetës së vajzës së tyre.

Ata tregojnë se Sonila është martuar me mblesëri, kurse bashkëshorti, Kreshniku, e mori më pas në Itali ku dhe jeton.

“Kemi folur me djalin, kemi folur me çupën, ka bërë parje çupa me djalin midis telefonit. Ranë dakord të dy të rinjtë, më thanë që jemi dakord, pranuam edhe ne. Ka ardhur dhëndri nga Italia. Ka qëndruar çupa 1 vit e fejuar, i kemi bërë dhe dokumentet çupës që e ka marrë tutje për në Itali. Ka ikur bashkë me gjithë prindërit e çunit, s’ka ikur vetëm, ka ikur me vjehrrin dhe me vjehrrën e saj. Ka ndejtur bashkë me ata andej, kemi bërë fejesën si në shtëpinë time dhe tek ata në 2017-2018, edhe e mori çupën pastaj. Dasmë nuk i bëmë dot brenda mundësive që s’kishim”, tregon mes lotësh nëna e Sonilës.

Ndërsa i ati i Sonilës rrëfen se vajza e tij nuk i mori asnjëherë dokumentet italiane edhe pse bashkëshorti i saj ishte me dokumente të rregullta pasi jetonte prej vitesh në Itali.

“I thoja gjithmonë çupës, ke kaq kohë 2-3 vjet andej, ky nuk t’i jep ato. Pse nuk ia bën dokumentet çupës? Hë sot, hë nesër. Lindën çunin, pastaj më tha mua do marrim dhe çunin këtu njëherë pastaj do hedhim dokumentet. Ai më thoshte mua t’i bëj sot, t’i bën nesër, jo s’pata nge, jo andej, jo këtej. Kohët e fundit më tha që kur të marr dhe çunin tutje do t’i bëj dokumentet, të nxjerr dokumentet edhe të asaj edhe të çunit”, thotë babai i 22-vjeçares së ndjerë.  /tvklan.al