Një shqiptar u dënua me 12 muaj heqje lirie në Britaninë e Madhe, pasi u kap duke menaxhuar një fabrikë kanabisi. M.Koka u gjet i fshehur pas bimëve të kanabisit dhe një depozite me ujë kur policia mbërriti në një banesë në Hartlepool.

Ishte një telefonatë anonime që i njoftoi oficerët e policisë për një aktivitet të dyshimtë në një shtëpi në rrugën Hereford.

Autoritetet arrestuan një tjetër person, i cili u kap gjatë kohës që po largohej nga banesa. Gjatë kontrollin, përveç shqiptarit të fshehur mes drogës, u zbuluan rreth 120 bimë dhe 108 fara kanabisi, vlera e të cilave shkonte mbi 66 mijë paund.

23-vjeçari Koka, i cili jetonte në Shropshire, pranoi akuzat e prodhimit të drogave të klasit B, më 22 Tetor të vitit të shkuar.

Avokati i tij mbrojtës tha se shqiptari kishte shkuar në Britani ilegalisht për të punuar. 

“Gjeti punë në një restorant në Shrewsbury dhe më pas pranoi një ofertë për t’u zhvendosur në Hartlepool për të menaxhuar bimët e kanabisit”

, tha avokati Julian Gaskin.

Ai u pagua një shumë të vogël parash dhe iu premtua se do të merrte më shumë të ardhura një moment që droga do të shitej.

Shqiptari mësohet se nuk kishte pasur precedentë të mëparshëm penal në vendin tonë dhe para autoriteteve britanike deklaroi se nuk kishte asnjë njeri në Shqipëri.

“Kohën në burg e ka shfrytëzuar për të bërë kurse anglishteje dhe matematike”

, shpjegoi më tej avokati.

/tvklan.al