Një modele ruse e Vogue ra nga dritarja e katit të tretë duke pësuar dëmtime të rënda dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje vijojnë të mbeten mister. Ndonëse 21-vjeçarja Ksenia Puntus arriti të mbijetonte, ajo nuk ka mundur që t’i tregojë policisë se çfarë i ndodhi, për shkak të dëmtimeve të rënda që ka pësuar në kokë.

E veshur hollë dhe e mbuluar në gjak, e reja u gjet nga një pastrues rruge në Moskë, rreth orës 04:00 të mëngjesit të së shtunës, ndërkohë që temperaturat jashtë ishin minus 5 gradë Celcius.

Ajo ndodhej në apartamentin e të dashurit të saj, kur ndodhi ngjarja e rëndë. Modelja, e cila ka pozuar për rusen Vogue dhe Tatler, pësoi plagë të rënda në koka e kraharor, thyerje të brinjëve, këmbëve e legenit.

Policia mësohet se ka rrethuar apartamentin nga ku dyshohet se ra 21-vjeçarja dhe ka nisur hetimet për ngjarje kriminale, pas deklaratave se e vërteta për ngjarjen po përpiqet të mbulohet.

Një version është se ajo ra nga dritarja, por një tjetër është që Puntus u rrah dhe më pas u hodh poshtë dritares.

Autoritetet policore mësohet se kanë marrë në pyetje personin që e gjeti, ashtu sikurse pronarin e apartamentin ku besohet se ajo kishte qenë. Megjithatë deri më tani policia nuk ka mundur të marrë në pyetje vetë modelen, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

Një mikeshë e saj, modelja Alesya Kafelnkiova tha se Puntus ishte gjetur e zhveshur, jo shumë larg vendit nga ku thuhet se ra.

“Është shumë e trishtueshme. Të gjithë po lutemi për të. Ajo nuk mban mend asgjë, përveç emrit të saj. Ajo ishte në një festë me disa njerëz të cilët i njoh. Me gjasë prindërit e saj do të bëjnë gjithçka munden për të fshehur të vërtetën. Këmbët dhe brinjët e saj janë të thyera. Është e qartë që e kanë fshehur aty. Ishte një pastrues personi që e gjeti dhe njoftoi ambulancën”.

Kafenikova mohoi me forcë zërat që nisën të qarkullonin në rrjete sociale se 21-vjeçarja kishte përdorur drogë.

“Ksenia nuk përdorte drogë, që do të thotë se ne dhe familja e saj e dimë që ka ndodhur diçka e keqe. Por njerëzit që ishin me të në festë, mohojnë gjithçka dhe insistojnë se e shoqëruan në shtëpinë e të dashurit të saj.”

Mediat lokale shkruajnë se i dashuri i saj, 20-vjeçari Andrei Bakov u mor në pyetje nga policia në cilësinë e dëshmitarit, pasi autoritetet e zgjuan nga gjumi.

Ai është nipi i regjisorit tejet të vlerësuar të filmave, 74-vjeçarit Nikita Mikhailov, një mbështetës i madh i Vladimir Putin. Nëna e Bakov është aktorja dhe modelja 45-vjeçare Anna Mikhailova.

Ksenia i është nënshtruar dy operacioneve që pas rrëzimit dhe tani ndodhet në kujdes intensiv në një spital në Moskë. Nëna e saj tha se 21-vjeçarja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Ajo deklaroi se provat nga vendngjarja sugjerojnë se dikush ishte përpjekur ta fshihte atë në shkurre, kur ndodhej pa ndjenja./tvklan.al