Mihal Jani, 60 vjeç dhe Anila Llulla, 50 vjeçe u gjetën të vdekur këtë të shtunë në apartamentin e katit të dytë të një pallati në Golem. Ata dyshohet se humbën jetën për shkak të asfiksisë nga gazi. Hetuesit kanë dyshime se soba e gazit të jetë harruar hapur nga çifti dhe për këtë arsye ata janë asfiksuar. Policia njofton se ngjarja u zbulua në rreth orës 17:45. Hetuesit kanë marrë në pyetje edhe fqinjët të cilët kanë deklaruar se e kanë ndjerë erën e gazit. Shtëpia ishte në pronësi të 60-vjeçarit Mihal Jani, ndërsa Anila Llulla banonte në kryeqytet.

Burime thonë për Klan News se 50-vjeçarja ishte larguar nga shtëpia e saj në Tiranë 2 ditë më parë. Djali i të ndjerës kishte bërë kallëzim në komisariatin numër 4 pasi nuk kishte mundur që të lidhej me të ëmën. 

Po ashtu burimet thonë se edhe djali i Mihal Janit gjatë ditës të premtes nuk kishte mundur që të kontaktonte me babain. Ai i kishte telefonuar disa herë edhe paraditen e të shtunës, por nuk ishte lidhur dot me të, djali kishte vajtur tek shtëpia në Golem dhe i kishte rënë derës, por askush nuk e kishte hapur. I shqetësuar për babain e tij kërkoi ndihmën e zjarrfikëses e policisë për të hapur me dhunë derën.

Por në banesë ata gjetën të pajetë Mihal Janin dhe Anila Llullan. Hetuesit kanë dyshime se çifti ka humbur jetën që një ditë më parë, por do të jetë mjekësia ligjore ajo që do të përcaktojë edhe shkakun e vdekjes. Në banesë nuk janë gjetur sende të kundraligjshme nga policia.

Klan News