“Stop” transmetoi një ditë më parë rastin e heqjes nga puna të Dashmir Carës, me detyrë dezinfektor pranë ASHR-së Tiranë, pasi mori pjesë në mbledhjen e LSI-së në Paskuqan.

Një qytetar nga Durrësi, i cili kërkoi të mbetet anonim, i ka ofruar pagën e dy muajve kryefamiljarit Cara, ndërsa shumë kompani janë ofruar për ta sistemuar në punë.

Gjatë emisionit të kësaj të enjteje, drejtuesi Saimir Kodra zbuloi se duke nisur nga sot Cara është punësuar nga një kompani.

“Vërtetë nuk ka shtet, por ka njerëz të mirë”

, tha Kodra, i cili falenderoi të gjitha kompanitë që u ofruan për ta punësuar, si dhe qytetarët që u ofruan për ta ndihmuar me para babain e tre fëmijëve.

Më poshtë po ju risjellim rrëfimin e Carës për emisionin “Stop”, transmetuar të mërkurën.

“Unë iu drejtova emisionit ‘Stop’ sepse prej 3 vitesh kam qenë në punë te Drejtoria e Shëndetit Publik dhe mbrëmë, rreth orës 16:20, më njoftojnë që isha i pushuar nga puna. Më përpara kam qenë pjesë e një bindjeje partiake, kam qenë koordinator i LSI-së në një zonë në Paskuqan.

Mendoj se ma kanë bërë për punë bindjesh se nuk ka arsye. Unë në profil kam qenë dezinfektor, kam bërë edhe punë të tjera si mirëmbajtje sepse jam nevojtar.

Kemi 3 fëmijë në shtëpi, mbi të gjitha kam edhe një invalid me paralizë cerebrale spastike. Aktualisht asnjë nuk punon, vetëm djali merr ndihmën e invaliditetit. Para një jave kam patur një takim me strukturat e LSI-së, jo në zonën time, në zonën 11 dhe aty mesa duket më ka kapur kamera.

Gjersa këta s’kanë lënë asnjë lloj arsye për shkarkim, unë jam shumë i bindur që kjo është bërë politike. Ka kaq kohë që ka largime, jo masivisht, por mbrëmë është bërë batërdia, kanë shkarkuar 5 a 6 veta pa motivacion fare.

Nëqoftëse ata janë prindër dhe e kuptojnë ç’do të thotë prind, të më rikthejnë në punë, aty ku kam qenë. Nuk dua gjë tjetër dhe i premtoj që nuk do më shohin në asnjë parti se nuk më shkon më mendja për parti se po bëhet fjalë për bukë. Nuk bëhet fjalë për drejtor apo shef administrate, unë kam qenë nëpunësi më i ulët. Po të pyesësh te puna jonë, dezinfektuesi është niveli më i ulët i punës”.

Dashmiri tregoi në studion e emisionit “Stop” që ka marrë pjesë në aktivitetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim më datë 21 Janar, që ka qenë ditë e diel, në orën 18:30.

Gazetarja komunikoi me Drejtorin e ASHR-së, Dritan Ulqinaku për shkarkimin e Dashmirit nga puna pa asnjë motiv dhe nëse kjo ka ardhur si pasojë e bindjeve të tij politike.

“Absolutisht jo! Motivi ka qenë performanca në punë. Janë disa shkelje që janë flagrante. Ky person di që ka marrë vërejtje edhe më përpara, ka edhe shkelje flagrante”.

/tvklan.al