Një adoleshente nga Iowa, SHBA, akuzohet se ka përfituar nëpërmjet mashtrimit 37 mijë dollarë donacione nga njerëz të ndryshëm, pasi pretendoi se ishte diagnostikuar me kancer të stadit të dytë.

Madison Marie Russo u ekspozua pasi ekspertët mjekësorë në TikTok vunë në dukje faktin se kishte bërë lidhjen gabim tek pajisjet që shfaqte në video, ku pretendonte se po merrte trajtim kimioterapie.

Në një seri postimesh në mediat sociale dhe në një faqe në GoFundme, 19-vjeçarja deklaronte se ishte diagnostikuar me kancer të fazës 2 në pankreas, leucemi dhe kishte një tumor sa një top futbolli rreth shtyllës kurrizore.

Ajo tashmë përballet me mbi 10 vjet burg pasi akuzohet për skemë mashtrimi nëpërmjet donacioneve.

Kur policia bastisi shtëpinë e saj, ata gjetën një paruke, ashtu sikurse pajisje që përdorte për të inskenuar sëmundjen.

Policia tha se 439 donatorë, përfshirë kolegje, fondacione për kancerin, individë të ndryshëm dhe biznese kishin kontribuuar në llogarinë e saj në GoFundme.

The Independent shkruan se GoFundme ka premtuar që të paguajë mbrapsht më shumë se 37 mijë dollarët që iu dhuruan faqes.

Fotot që e reja postonte në mediat sociale në të cilat pretendonte se po merrte trajtim kimioterapie, ishin marrë nga llogaria e një pacienteje tjetër me kancer.

Policia kontrolloi të dhënat mjekësore në 3 spitale të zonës ku Russo kishte deklaruar se ishte trajtuar, po nuk arriti të gjente asnjë të dhënë për të, si e diagnostikuar me kancer.

Për herë të parë, Russo pretendoi se ishte me kancer për një media lokale, në Tetor të 2018-s.

“Mjekët më thanë se kishin gjetur një masë në pankreas dhe se kisha kancer të fazës 2. U tmerrova dhe sigurisht që jam ende nën shok. Nuk e mendoja se mund të ishte e vërtetë. Jam shumë e re dhe pyesja veten se si mund të ndodhë diçka e tillë”, tha ajo për Free Press.

Russo tha se mjekët i dhanë 11 përqind shanse për të jetuar. Ajo pretendoi se kishte bërë 15 raunde kimioterapie orale dhe 90 raunde rrezatimi gjatë muajve që pasuan dhe se tumori po zvogëlohej.

E ndërkohë që pretendonte se ishte me kancer, ajo arriti të merrte nota të mira në shkollë, të siguronte një intership dhe të kishte një jetë tejet aktive në rrjetet sociale, theksoi policia./tvklan.al