Morina: Paratë ia mora një biznesmeni për probleme personale

Gjykata e Tiranës la në burg ish-shefin e repartit të stërvitjes RENEA, Altin Morina i arrestuar disa ditë më parë pasi lëvizte me 113 mijë Euro në makinë.

Përpara togave të zeza, efektivi ka mbajtur të njëjtin qëndrim si pas arrestimit, duke pohuar se paratë ishin marrë hua tek një biznesmen për shkak të një problemi personal dhe se nuk e kanë burimin nga aktiviteti kriminal.

“Këto para i kam marrë nga një biznesmen 20 minuta para arrestimit. Nuk vijnë nga produkt kriminal, jam gati të bashkëpunoj me organin e akuzës për t’i dhënë prova që kanë të bëjnë me arsye personale dhe familjare. Nuk ka pasur person tjetër në shoqërinë time në momentin e arrestimit tek Komuna e Parisit, ku isha drejtuar në zonën e ish-Bllokut ku edhe banoj”, tha ai.

Altin Morina u arrestua nga policia pasditen e së mërkurës teksa qarkullonte me një automjet tip Audi Q8 në brendësi të së cilës u sekuestruan rreth 113 mijë Euro.

Fillimisht ndaj tij prokuroria ngriti 3 akuza “Pastrim parash”, “Fshehje e të ardhurave” dhe “Shpërdorim detyre”. Ndërkohë në seancën e mbajtur këtë të shtunë organi akuzës, relatoi vetëm veprën penale të “Pastrimit të parave”.

Tv Klan