U kap me 300 mijë Euro, burg për Ferdinand Mirukajn

U kap me 300 mijë Euro, burg për Ferdinand Mirukajn

16:27 15/11/2020

29-vjeçari mohon të ketë patur dijeni për shumën e parave

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg Ferdinand Mirukajn, të riun që drejtonte kamionin ku u gjetën rreth 300 mijë Euro. Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa mësohet se 29-vjeçari ka mohuar të këtë patur dijeni për shumën e parave që u gjet e fshehur në kabinën e kamionit që ai drejtonte.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe përballë hetuesve, teksa ka pohuar se nuk e dinte se paratë ishin në kamionin që drejtonte dhe nuk ka dijeni si mund të kenë përfunduar aty.

Nga ana tjetër hetuesit kanë dyshime se shuma e parave do i dorëzohej grupeve kriminale në Shqipëri, që ushtrojnë aktivitetin në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, kryesisht në veri të Italisë. Mësohet se kamioni ishte ngarkuar me makina në Ankona të Italisë dhe destinacionin përfundimtar kishte qytetin e Lushnjes.

Për shumën e sekuestruar policia nisi procedim edhe per Aldo Likën, pasi atij iu gjetën në një çantë 11.765 Euro, ndërsa në kërkim është shpallur Erjon Jovani pronar i kamionëve ku u gjetën paratë.

Ky i fundit është një emër i njohur për drejtësinë, pasi në 2016-ën u arrestua në Portin e Durrësit teksa tentoi të trafikojë me kamion një sasi prej 190 kg kanabis.

Tv Klan





Të ngjashme