31-vjeçari pretendon se s’ka lidhje me drogën dhe se e kanë ngatërruar

Armando Papa që u kap me 41. 7 kg heroinë, në automjetin e tij, do të qëndrojë në qeli. Gjykata i ka caktuar masën e sigurimit arrest në burg paafat.

31-vjeçari para gjyqtarit Arben Micko është shprehur se nuk ka lidhje me drogën, por thjesht po transportonte një pako që ia kishin dhënë porosi.

“Kisha dalë për të marrë një porosi të motrës dhe do t’ja dërgoja, më pas në Rinas. Unë nuk i njihja personat. Më dhanë pakon dhe ju thashë që peshon shumë. Ata e futën pakon në makinë dhe më thanë “ik”. Ngarkesën ma kanë futur në makinë pranë mbikalimit të Rinasit, më kanë ngatërruar. Kurohem në mënyrë të vazhdueshme, pasi vuaj nga epilepsia”. 

Gjatë seancës, mbrojtja kërkoi masë më të butë sigurie duke argumentuar se ende nuk ka dalë ekspertiza që të përcaktojë llojin e drogës. Ndërsa prokuroria është në pritje të akteksperizave për të parë nëse ka gjurmë të tjera gishtash në mbështjellsen e lëndës nakroike. Hetuesit janë duke analizuar edhe pamjet filmike. Lënda narkotike ishte nën vëzhgim nga policia.

Droga i është dorëzuar Papës nga një person tjetër i identifikuar si Roland Guzi. Ai dyshohet që kishte rolin e transportuesit dhe shpallur në kërkim.

Ka dyshime se droga vinte nga Turqia dhe porositës i saj dyshohet që të jetë një eksponent i njohur i botës së krimit në Kurbin. Droga me vlerë mbi gjysëm milionë Euro, është sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale.

Klan News