Ky është Orest Sota, personi të cilit policia i gjeti në makinë 863 mijë euro dhe 2 leje drejtimi për mjete lundruese në emër të ish – ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai u paraqit mëngjesin e së shtunës, në Gjykatën e Elbasanit, e cila vendosi të lërë në burg pa afat. Mbi të rëndojnë katër akuza drejtim pa leje të automjetit, mosbindje ndaj urdhrit të policisë, fshehja e të ardhurave dhe pastrim parash.

Ai i mohoi akuzat, por gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë. 25 – vjeçari u arrestua në flagrancë në rrugën nacionale Elbasan-Peqin në fshatin Balldren duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.

Ai ka pasur një debat me policët dhe është larguar nga aty duke i dhënën gaz mjetit, por blutë janë vënë në ndjekje të tij, ndërsa 25 – vjeçari ka hyrë në ambientet e kompanisë “Kurum”.

Oficerët e policisë kanë hyrë brenda duke bërë kontrollin e mjetit dhe arrestimin në flagrancë të të riut. Gjatë kontrollit janë gjetur në sediljen e pasagjerit sasi prej 863 mijë eurosh dhe gjithsej 4 patenta, dy prej të cilave në emër të Saimir Tahirit.

Pas këtij momenti 25 – vjeçari është marrë në pyetje ku ka deklaruar se paratë i kishte për të bërë disa pagesa në kompaninë “Kurum”, me të cilën punonte babai i tij Lefter Sota. Ndërsa për patentat i riu ka sqaruar se nuk e njihte Tahirin, por i kishte harruar në mjetin e tij shoferi i ish-ministrit, më të cilin ai ka miqësi. 

Për llogari të hetimin është marrë edhe dëshmia e Lefter Sotës, i cili ka konfirmuar thëniet e të birit. Pas këtyre deklarimeve prokuroria ka nisur dhe një pasuror për këtë rast, pasi me ligjin shqiptar nuk lejohen që pagesa me këto lloj shifrash të bëhen jashtë sistemit bankar.

Tv Klan kontaktoi me zyrat e kompanisë Kurum në Elbasan dhe në Tiranë, por ato nuk kanë bërë komente nëse do të kryhej ndonjë transaksion me paratë e bllokuara nga policia.

Hetuesit pritet të të sekuestrojnë nga QKR bilancet e kompanisë se biznesmenit Sota për të parë nëse e justifikon shifrën prej 863 mijë eurosh.

Tv Klan