Një vajzë 22-vjeçare shqiptare në Britani të Madhe është dënuar nga një gjykatë me 13 muaj e gjysmë burgim pasi u kap në shtetin ishullor me dokumente të falsifikuara.

Mediat britanike shkruajnë se Ina Bufi u ndalua Korrikun e vitit të kaluar nga policët e kufirit në portin e Holyhead, teksa ishte duke udhëtuar me makinë. Kur agjentët i kërkuan dokumentet, ajo dorëzoi një kartë identiteti dhe një patentë greke. Ina këmbëngulte se ishin origjinale, por në fund pranoi se është qytetare shqiptare dhe nuk ka të drejtë hyrje në Britani te Madhe.

22-vjeçarja u arrestua dhe u akuzua për posedim të dokumenteve false. Para gjykatës ajo tha se ishte viktimë e skllavërisë moderne dhe po trafikohej në Britani. Por hetimet kishin vërtetuar se Ina Bufi nuk ishte trafikuar, por kishte hyrë vetë në Angli me dokumente të falsifikuara.

22-vjeçarja pranoi akuzat e prokurorisë, ndërsa avokati i saj tha se ajo është infermiere e diplomuar në Shqipëri dhe kishte planifikuar të kryente studimet Master. Avokati bëri gjithashtu me dije se Ina ka bërë kërkesë për azil në Britani të Madhe.

Por, gjykatësi dha dënimin me 13.5 muaj burgim për 22-vjeçaren shqiptare, si dhe urdhëroi konfiskimin dhe shkatërrimin e dokumenteve false greke që përdoreshin prej saj. /tvklan.al