Armando Papa, 31-vjeçari i arrestuar me më shumë se 41 kg heroinë ka kyçur gojën para hetuesve gjatë dëshmisë së marrjes në pyetje.

Gazetari Besaj Bajraktaraj ka mësuar se i riu nuk ka treguar asgjë mbi bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm dhe as destinacionin për ku ishte nisur për të dërguar lëndën narkotike.

Sasia e heroinës së sekuestruar kap vlerën e mbi gjysmë milioni Euro në treg, nëse do të ishte shitur. Burime nga policia bëjnë me dije se origjina e lëndës narkotike dyshohet se ishte nga Turqia.

Armando Papa rezulton me precedente të tjera penale në fushën e drogës dhe jo vetëm.

Personi tjetër i shpallur në kërkim me iniciale R.G. me origjinë nga Sukthi ka qenë në një tjetër makinë gjatë momentit të ndërhyrjes për arrestimin dhe ka mundur të largohet.

Policia po punon për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Grupi hetimor dyshon se heroina ishte gati për t’u shitur në treg, kryesisht në Tiranë, pasi kohët e fundit në kryeqytet është shtuar ndjeshëm përdorimi i heroinës.

Klan News