Kanë shpërthyer në lot në dyert e Gjykatës së Lezhës Armand Lukani dhe Amelda Elezi, vëlla e motër të dy nga Vlora që u arrestuan me mina me telekomandë pak ditë më parë.

Në momentin që ka  zbritur nga furgoni i policisë, 21-vjeçarja shtatzënë Amelda Elezi është përballur me babain e saj dhe nuk i ka përmbajtur dot lotet. Elmi Lukani thotë se fëmijët e tij mund të jenë përdorur pasi nuk kanë mundësi ekonomike të blejnë materiale të tilla. Ky i fundit ishte personi i vetëm që kishte udhëtuar drejt Lezhës për të ndjekur nga afër seancën në ngarkim të fëmijëve të tij.

Në përfundim të seancës, gjykata e ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin e tyre, por për shkak të cilësive të veçanta ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për Amelda Elezi. Ndërkohë 23-vjeçari Armand Lukani do të hetohet me masën e sigurisë arrest me burg.

Armand Lukani dhe Amelda Elezi u arrestuan ditën e martë sapo kishin mbërritur në qendër të qytetit të Lezhës, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar iu gjet një çantë me 3 mina të telekomanduara dhe një sasi prej 2 kilogramë kanabis. Për këtë ngjarje është shpallur në kërkim bashkëshorti i Ameldës, Esmerald Elezi.

Tv Klan