Programi “Historia ime”, në TV Klan solli ditën e sotme një histori shumë frymëzuese dhe tepër të veçantë. Meliha rrëfeu në studio se si u bë një nënë e dytë për një vajzë që e takoi krejt rastësisht.

Vajza gjendej në një gjendje të keqe emocionale, ishte braktisur nga i dashuri dhe familja nuk e pranonte sepse ishte shtatzënë. Nuk kishte ku të qëndronte dhe Meliha e strehoi në shtëpinë e saj.

Ajo u kujdes për të gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë dhe ishte pranë saj edhe kur ajo solli në jetë vajzën e saj.

Pasi dolën nga spitali, Meliha i mori sërish në shtëpi dhe për 13 vjet është kujdesur për to. Në studio ajo tregon se atë vajzë e ka rritur vetë dhe nuk e ndan nga nipërit e saj.

Mirela Milori: E more në shtëpi?

Meliha: Po e mora, e mbajta!

Mirela Milori: E kaloi shtatzëninë tek ty?

Meliha: Po, u be 4 muajshe, 5 muajshe, 6 muajshe dhe erdhi dita e lindjes. E çova tek spitali me taksi. Atje i ndenja tek koka. Vjen ajo mua të më japë përgjigjen, po përgjigjen e mora unë, po muhabeti ishte se s’kisha që t’i jepja nga zemra ime një diçka që t’i thosha faleminderit, për atë që më tha.

Mirela Milori:  U bë me djalë?

Meliha: Jo u bë me vajzë! Fillova të qaja unë. Shkova unë tek inkubatori. I thashë nëna s’ka për të të lënë ty të biesh në tokë. Edhe i mora.

Mirela Milori:  I more prapë në shtëpinë tënde?

Meliha: Po!

Mirela Milori: Sa vjeç është vajza tani?

Meliha: 15 vjeç! 2 vjet kam që jam ndarë me atë, 13 vjet i kam me atë shpirtin tim, me zemrat e mia.

Mirela Milori: I mbajte në shtëpi që nga ajo ditë?

Meliha: Po i mora!

Mirela Milori: Emrin kush ja vuri vajzës?

Meliha: Unë, Letisia! Kush nuk më ka ndihmuar për atë, të gjithë më kanë ndihmuar.

Mirela Milori: Me letra nuk ishte? E ke hedhur tek trungu jot?

Meliha: E kam bërë me thënë të drejtën, e kam bërë nuse vëllai, se nuk më bëheshin procedurat.

Mirela Milori: E ke hedhur në letra si nusen e vëllait tënd?

Meliha: Po! E merrja fëmijën, i bëja vaksinat, e vizitoja, e kontrolloja.

Mirela Milori: Ti u bëre gjyshe?

Meliha: Me pak fjalë gjyshe!/tvklan.al