Një 35-vjeçare nga qyteti i Beratit ka rrëfyer në programin “Historia ime”, në Tv Klan, divorcin e saj nga ish-bashkëshorti i parë me të cilin ka edhe një djalë, sot 15 vjeç.

Eliona Xhema ka rrëfyer se pas ndarjes, ajo krijoi një familje të re dhe është shumë e lumtur me bashkëshortin aktual, me të cilin ka edhe 3 fëmijë të tjerë. Artan Xhema, i cili i ftuar në studio ka rrëfyer se për të nuk ishte aspak problem që të martohej me një grua të divorcuar dhe që kishte një fëmijë. Për të, djali i saj është njësoj si fëmijët e tjerë që ata kanë sëbashku dhe nuk bën asnjë diferencim mes tyre.

Në studio, ata kanë treguar se djali Sokoli nuk do të takojë babain e tij biologjik.

Mirela Milori: Ti njihesh me Artanin?

Eliona Xhema: Po dhe jam e gëzuar që kam këtë tani, se jam e lumtur.

Mirela Milori: Ku u njohët ju?

Eliona Xhema: Me lajmësi dhe atë. Kur kisha gjyqin e djalit, qëlloi miku i tij dhe u lidhëm bashkë.

Mirela Milori: Çfarë profesioni ka Artani?

Eliona Xhema: Punëtor krahu i shkreti!

Mirela Milori: Unë dua të pyes Artanin. Ti një djalë pa angazhime, pa fëmijë dhe njohe Eljonën që kishte një fëmijë, nuk pate mentalitet? Njerëz që të thanë, pse do ta marrësh këtë grua me fëmijë?

Artan Xhema: Fare, absolutisht fare!

Mirela Milori: Si t’u mbush mendja për Eljonën?

Artan Xhema: Për atë më rrahu zemra!

Mirela Milori: Të foli njeri, të ndërhyri?

Artan Xhema: Epo nuk dua t’ia di, le të ndërhyjë kush të dojë. Ajo është jeta ime dhe me jetën time nuk ka punë njeri. Unë jam në moshë madhore dhe fëmijën që ajo solli mbrapa, më shumë dua atë sesa ata që bëra vetë.

Mirela Milori: Ti thua ke katër fëmijë, jo 3 fëmijë edhe 1?

Artan Xhema: 4 them!

Mirela Milori: Si është marrëdhënia me Sokolin, djalin? E ke njohur kur ka qenë 4 vjet apo jo?

Artan Xhema: Vajta të njihja Elionën, më mirëpritën tek shtëpia mirë e bukur. Sokoli atëherë ishte 4 vjeç, i thotë Elionës: Jepi bukë këtij që ka ardhur. Kjo i thotë nuk i jap bukë atij, le të ikë nga erdhi. Moj jepi bukë se është babi im tha dhe ia ngjiti me pëllëmbë të ëmës. Që aty më hyri në zemër Sokoli. Eliona m’u drejtua mua: Ti e mësove? Moj unë sot po e shikoj, po unë kam vetinë që kalamajtë i afroj.

Mirela Milori: Mbasi u njohët, ju sollët në jetë 3 fëmijë?

Artan Xhema: Po!

Më tej, në studio Eliona tregon se babai biologjik i fëmijës së saj nga martesa e parë nuk pranon të paguajë pensionin për djalin.

Eliona Xhema: Çuni im nuk do ta takojë. Sa herë i kam thënë unë do takosh babin, jo thotë nuk dua!

Mirela Milori: Artan, ti vetë si i flet djalit për të atin e tij biologjik?

Artan Xhema: Po unë mbaj mend kur e kam çuar Sokolin për të takuar të atin, ai as më njihte as e njihja. Kur kam hyrë unë në zyrë, dëgjoji emrin ai siç quhesha unë dhe më tha unë me ty dua të bëhem shok. Ti me mua shok i thashë? Ke ngatërruar derën që më flet mua në radhë të parë. Unë nuk i flas atyre njerëzve që braktisin një fëmijë. Ti nuk meriton të quhesh baba se je i papërgjegjshëm. Se unë i bie sot të ndahem nga Eliona, unë arrij bëj vetëvrasje.

Mirela Milori: Po djalit i flet? Sepse djali nuk e ka të lehtë, duhet të takojë babain e tij, ka të drejtë ta takojë.

Artan Xhema: Po i them, ai thotë kur ai nuk më takon mua. Kur unë e çova në takim, ai më thoshte çfarë është ky gogol!

Mirela Milori: Djali nuk e do?

Eliona Xhema: Jo nuk e do!/tvklan.al