Gjendet trupi i pajetë i 18-vjeçares I.H e cila u raportua e zhdukur ditën e djeshme, në plazhin e Shkëmbit të Kavajës në Durrës.

Sipas informacioneve, vajza u gjet e mbytur rreth orës 24:00 të mbrëmjes, në të njëjtin vend ku u gjet e pajetë edhe kushërira e saj e vogël.

Sipas policisë 18-vjeçarja ishte futur për t’u larë në det sëbashku me kushërirën e saj E.B 4 vjeç.

Ka qenë 56 – vjeçari M.H., i cili rreth orës 19:10 të ditës së djeshme ka njoftuar Stacionin e Policisë Plazh, se nuk po gjente mbesat e tij.

56-vjeçari kishte shkuar me pushime në Plazhin e Durrësit bashkë me familjarët e tij.

Policia gjeti të mbytur fillimisht vajzën e mitur, më pas vijuan kërkimet për gjetjen e 18-vjeçares, e cila u gjet e pajetë pas disa orësh kërkimesh.

Në operacionin që u zhvillua përgjatë vijës bregdetare nga toka e deti, në zonën e Golemit, u  angazhuan efektivët e Policisë së Durrësit, Stacioni i Policisë Plazh dhe Policia Kufitare./tvklan.al