Rënia me 65% e fluksit të fluturimeve brenda 1 viti për shkak të kufizimeve të pandemisë së koronavirusit u bë shkak që edhe qeveria polake të reduktonte pagat dhe stafin e kontrollorëve ajrorë.

Prej 1 Janarit të këtij viti, pagat e tyre u reduktuan me 23.5%, ndërsa stafi nisi të reduktohej prej Prillit të vitit të kaluar. Disa prej punonjësve të agjencisë së kontrollit ajror polak kundërshtuan këto masa dhe pezulluan pjesërisht punën në Mars të këtij viti.

Por qeveria e konsideroi të jashtëligjshëm këtë reagim duke i shkarkuar nga puna, ndërsa ata po përballen me pasoja penale pasi veprimet e tyre u konsideruan të jashtëligjshme.

Një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe në Spanjë në 2010-ën, kur masat e kursimit në kushtet e krizës së Eurozonës prekën edhe pagat e kontrollorëve ajrorë. Si reagim në të gjithë vendin, këta punonjës pezulluan punën për 6 orë duke bllokuar nëpër terminale mbi 330 mijë udhëtarë.

Ushtria mori kontrollin e hapësirës ajrore, ndërsa situata u normalizua pasi kryeministri Jose Luis Rodriguez Zapatero kërcënoi me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në kushtet e të cilës ata do të detyroheshin të riktheheshin në punë dhe të përballeshin me pasoja të rënda penale deri më burgim.

Një tjetër rast është edhe ai i Gushtit të 1981, kur ish presidenti amerikan Ronald Reagan shkarkoi mbi 11 mijë kontrollorë dhe nisi zëvendësimin e tyre një e nga një, pasi me grevën e tyre ku kërkonin rritje pagash shkaktuan anulimin e 7 mijë fluturimeve në vetëm 1 ditë.

Tv Klan