“Njëri prej atyre që zgërdhihet më shumë ka qenë në Gjermani para tre ditësh dhe ka porositur një Toyota Yaris po ta kanë zbuluar”.

Për këto akuza ndaj kreut të grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla, Lulzim Basha u shpall fajtor nga Gjykata e Tiranës. Vendimi i dhënë për kreun e demokratëve e sanksionon gjobë për shpifje në vlerën e 50 mijë lekëve dhe shpenzimet e gjyqtarit.

Taulant Balla, Kryetar i Grupit të PS-së: 

Është një vendim historik për të cilin ne politikanët duhet të reflektojmë gjatë, i pari që duhet të reflektojë është Lulzim Basha që sot është shpallur fajtor penalisht dhe i detyrohet shtetit shqiptar të shlyejë dënimin e merituar që sot gjykata dha. Së dyti i kërkoj Lulzim Bashës dhe PD të heqin dorë nga kjo politikë bajate e bazuar tërësisht në shpifje. Në aspektin civil e njoftoj Bashën sot se do të përballet dhe me një padi tjetër.

Përfaqësuesi ligjor i Bashës, Gazmend Bardhi teksa paralajmëroi apelimin e vendimit, tha se togat e zeza janë nën presionin e Vettingut.

Gazmend Bardhi, Përfaqësues Ligjor i Lulzim Bashës: 

Gjykata e sotme ne presion për Vetingun. Ky është një vendim qesharak. Për gjykatën këtu ka rëndësi çfarë thotë Taulant Balla dhe policia e inkriminuar. Barrën e provës kjo  gjykatë qesharake ia kaloi Lulzim Bashës.  Vendimi asgjësoi organin e prokurorisë. Vendimi shprehet qartë. Foli policia e shtetit Taulant Balla nuk ka lidhje me këtë çështje sepse kështu ka thënë policia e shtetit e Taulant Ballës, ndërkohë që prokuroria e ka në proces hetimi. Nuk ka persona të deklaruar fajtorë mbi këtë çështje sepse hetimet vijojnë ende. Nëse jemi kthyer në sistemin ku policia përcakton se kush është i fajshëm dhe kush i pafajshëm, kush është i përfshirë në trafik droge dhe kush jo, cila është lidhja e Taulant Ballës me 3.4 milionë eurot, atëherë jemi kthyer zyrtarisht në diktaturë.

Lulzim Basha akuzoi kreun e grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla në seancën plenare të 25 Qershorit se ai ishte garantuesi i hyrjes në Shqipëri të 3.4 milionë eurove të sekuestruara në portin e Durrësit. Sipas kreut të opozitës sasia e parave i përkiste një ndër grupeve më të rrezikshme të trafikut të drogës në Elbasan.

Tv Klan