Policia ka arrestuar për veprën penale “plagosje e lehte me dashje” personat që u përfshinë në incidentin e mbrëmjes së të hënës në KZAZ-në 30, tek Shkolla “1 Maji”. Në pranga janë vënë Jurges Mullahi, Orald Laçi dhe Avi Dushku.

Gazetarja Glidona Daci, raporton për Klan News se sipas burimeve të policisë, gjithçka ka ndodhur për motive banale. Tre vëzhguesit, njëri i një subjekti politik dhe dy të tjerët që i përkisnin një OJF-je të akredituar nga KQZ-ja, janë konfliktuar me njëri-tjetrin për karrige.

Vëzhguesi i PD-së Jurges Mullahi u ka kërkuar dy vëzhguesve të tjerë që të lëvizin nga karriget e rrjeshtit të parë, pasi sipas tyre aty u takonte të uleshin vëzhgues të subjekteve politike. Fillimisht sherri ka nisur me fjalë dhe më pas është përshkallëzuar në përleshje fizike.

Vëzhguesit e OJF-së kanë pretenduar se nuk shohin mirë nga sytë dhe shpeshherë kanë ndërhyrë tek komisionerët për të mos i kaluar fletët e votimit me shpejtësi.

Roli i komisionerit të PD-së, i cili ka ndërhyrë dhe është përfshirë më pas në sherr, ka qenë për të mbrojtur të vëllanë, i cili ishte vëzhgues.

Plagosja e lehtë me dashje është një vepër penale që dënohet me gjobë deri në 8 vite burg, por kjo do të caktohet kur çështja të kalojë për gjykim./tvklan.al