Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Elbasan ku mbeti i vrarë me armë zjarri ish-kryetari i LSI-së në këtë qytet, Pjerin Xhuvani dhe u plagosën edhe katër persona të tjerë.

Mes të plagosurve janë edhe efektivja e forcave “Shqiponja” Xhensila Sota, dhëndri i Xhuvanit i cili ndodhet në gjendje të rëndë, një person i identifikuar si Emiljano Prenga dhe një tjetër, identiteti i të cilit nuk është konfirmuar ende.

Ngjarja dyshohet se ka nisur kur sekretari i përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi dhe disa persona të tjerë kanë konstatuar dhe kanë hedhur dyshime se në një furgon ku ndodheshin eksponentë të PS-së, përfshirë Pjerin Xhuvanin, ndodheshin shuma parashë që do shpërndanin për fushatë.

Klan News raporton se autori i dyshuar i vrasjes së Xhuvanit, Arbër Papleka, ish-oficer, ka pranuar se ka qëlluar me armë viktimën, me argumentin se përdori armën për vetëmbrojtje.

Dyshohet gjithashtu se drejt trupit të Pjerin Xhuvanit janë gjuajtur rreth 20 plumba.

Ndërkohë Gazmend Bardhi dhe Luçiano Boçi janë shoqëruar në komisariat për të dëshmuar. Në një prononcim të shkurtër Bardhi ka thënë se ngjarja lidhet me “shtabin e vetëm elektoral të Taulant Ballës”.

“Janë një grup personash, shtabi i vetëm elektoral i Taulant Ballës”, ka thënë ai.

Ndërkohë, gazetari Fatos Salliu, ka raportuar se janë dëgjuar krisma të tjera në qytetin e Elbasanit pas kësaj ngjarje, por nuk dihet ende nëse kanë qenë krisma armësh.

Gjithashtu pritet që edhe Taulant Balla të japë një deklaratë për këtë ngjarje të rëndë që ka përgjakur Elbasanin këtë të Mërkurë./tvklan.al