Policia e Vlorës ka arrestuar 39-vjeçarin E.L. që mbeti i plagosur me armë zjarri në të dyja këmbët mbrëmjen e së mërkurës në qytetin bregdetar.

39-vjeçari akuzohet për moskallëzim krimi. Bashkë me të është arrestuar edhe një 46-vjeçar me iniciale K.Xh., ndaj të cilit rëndojnë akuzat e moskallëzimit të krimit dhe deklaratë të rremë përpara oficerit të policisë gjyqësorë. 39-vjeçari u paraqit i plagosur në Spitalin e Vlorës me plagë plumbi në të dyja këmbët.

Gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.  /tvklan.al