Policia procedon administratorin dhe përgjegjësin e mirëmbajtjes

Dy ditë pasi i riu Ajdin Mustafi nga Maqedonia e Veriut humbi jetën duke rënë nga kati i pestë i hotel Rogner në kryeqytet, Policia e Tiranës ka nisur zyrtarisht hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se në vijim të dokumentimit të plotë të ngjarjes së ndodhur në Rogner, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, referuan materialet dhe proceduan penalisht administratorin e hotelit, 49-vjeçarin nga Austria, Rudolf Schmid dhe përgjegjësin e mirëmbajtjes, 38-vjeçarin Roland Hysa. Ata po hetohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Ajdin Mustafi u rrëzua nga dritarja e dhomës se tij, pasi parmakët prej metali në të cilat ishte mbështetur, u shkëputën papritur.

28-vjeçari ra nga kati i pestë në sheshin e parkingut të hotel Rogner dhe u dërgua menjëherë në spital, por pa mundur të mbijetojë. Një burim nga Policia e Tiranës tha për Tv Klan se dyshohet që shkak është bërë cilësia e dobët e punimeve që përfshin cilësinë e materialeve apo mosfiksimin e parmakëve siç duhet.

Hotel Rogner është ndërtuar në fillim të viteve ’90. Ai është një ndër hotelet më të vjetër të Tiranës dhe që prej ndërtimit nuk ka pësuar ndonjë rikonstruksion të objektit.

Ajdin Mustafi ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve të mitur. Ai kishte dy ditë që kishte ardhur nga Zvicra. 

Tv Klan