Dhjetë persona, midis të cilëve tetë shqiptarë dhe dy grekë kanë rënë në prangat e policisë greke si pjesë e një bande që u shiste drogë nxënësve nëpër gjimnazet e Athinës.

Të arrestuarit janë të moshës nga 18 deri në 26 vjeç. Dy shqiptarë, njëri 24 vjeç dhe tjetri 26 vjeç besohet se kanë luajtur rol drejtues. Ata e merrnin lëndën narkotike nga Shqipëria dhe e fshihnin në një nga shtëpitë e tyre.

Më pas droga shpërndahej tek anëtarët e tjerë të grupit kriminal, të cilët më pas e shisnin për nxënësit në katër zona të ndryshme të Athinës, në Zografu, Kaisariani, Vironas dhe Pangrati.

Autoritetet u shprehën se janë duke kërkuar edhe për disa bashkëpunëtorë të tjerë që mendohet se janë të gjithë shqiptarë.

Sipas mediave greke, çmimi për një gram kanabis shitej pesë deri në tetë euro. Për tre muajt e fundit mendohet se banda ka shitur rreth 12.5 kilogramë duke fituar përafërsisht rreth 100.000 euro.

Pas kontrolleve në shtëpitë e të arrestuarve autoritetet sekuestruan 1.5 kilogramë kanabis, 8.000 euro, një armë dhe 12 celularë. Gjithashtu, ata bllokuan tre makina dhe një motor të cilat përdoreshin nga grupi kriminal.

/tvklan.al