Më 13 Dhjetor të vitit të kaluar Abigeila Voshtina u shkarkua nga detyra si drejtoreshë e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Këtë post ajo e mbajti për gati 2 vjet, pasi mori detyrën në Qershor të vitit 2022.
Në fakt nuk pati asnjë reagim apo njoftim zyrtar për këtë shkarkim nga detyra. Ndërkohë që Abigeila Voshtina nuk e kishte plotësuar mandatin e saj 4 vjeçar. E ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan ajo flet për herë të parë publikisht në lidhje me këtë çështje.
Sipas saj shkarkimi ishte i papritur dhe nuk pati një arsye apo motiv kyç që të çonte në këtë pikë.
Rudina Magjistari: Si erdhi momenti i shkëputjes nga ky pozicion, sepse nuk kemi pasur një deklaratë publike dhe nuk e kemi mësuar në fakt as si erdhi dhe as arsyen.
Abigeila Voshtina: Unë them që çdo gjë në jetë ka një fillim dhe një mbarim. Unë mendoj se unë dhe Jacopo kemi jetuar çdo ditë sikur të ishte dita jonë e fundit. Në të cilën kemi krijuar një motivacion për të gjithë stafin. Dinim ekzaktësisht se ku do të shkonim, ishte një punë me një dialog shumë të hapur me të gjithë ata që ishin kokat e çdo sektori që teatri kishte. Kemi lënë një gjurmë në teatër të cilën e krijuam të gjithë bashkë dhe ishte një fund që nuk e kishim menduar.
Rudina Magjistari: Ishte i pritur nga ju?
Abigeila Voshtina: Jo.
Rudina Magjistari: Pati ndonjë shfaqe të caktuar që u bë shkak?
Abigeila Voshtina: Jo nuk kishte asnjë shfaqe, unë mendoj që me siguri kanë menduar për një potencial tjetër, ose për një lloj menaxhimi ndryshe të teatrit. Nuk kemi pasur asnjë divergjencë në të cilën unë do të shprehesha. E vetmja gjë e fortë që mund të them është se ajo që realizuam ishte një gjë e mrekullueshme për teatrin mendoj, ashtu sikurse çdo kush që ka qenë në pozicionin tim dhe për publikun jo vetëm për të Tiranës, por dhe për gjithë Shqipërinë. Ishte një nder që të shikonin një art që ishte ekzaktësisht si në çdo skenë të botës.
Rudina Magjistari: Vetëm se është e çuditshme që nuk ka një motivacion për këtë vendim që është marrë, për të ndërprerë këtë lloj kontrate. Nuk pati asnjë shpjegim zyrtar as për ju?
Abigeila Voshtina: Jo! Jo të gjithë mund të punojmë me çdo lloj karakteri njeriu. Nuk e di. Nuk do të doja të hidhja teori sepse nuk më pëlqen. Nuk pati absolutisht asnjë gjë, as një diskutim ose një ngjarje e cila solli problematika të caktuara, jo nuk pati./tvklan.al