U shpall “njeriu më i fuqishëm në Britani”, shqiptari akuzohet për…

U shpall “njeriu më i fuqishëm në Britani”, shqiptari akuzohet për…

20:45 04/06/2019

Në vitin 2008 ai fitoi një konkurs dhe u shpall “njeriu më i fuqishëm në Britani”. Kurse tani 44-vjeçari me origjinë shqiptare Jimmy Marku akuzohet për kontrabandë të emigrantëve. Një gjykatë në Angli dëgjoi sot akuzat ndaj 44-vjeçarit, ku sqarohej se Jimmy Marku në bashkëpunim me vëllain e tij Jetmir Marku 36 vjeç dhe shqiptarin tjetër Alex Sefolli 39 vjeç, kishin marrë 13 mijë Paund për të kontrabanduar 17 emigrantë shqiptarë në Maj të vitit 2016.

Sefolli, i cili ka patur në pronësi një restorant dhe disa kompani ndërtimi, u përfshi në trafikun e emigrantëve pasi deklaroi se biznesi i tij kishte falimentuar. Ai akuzohet edhe për punësimin e 3 emigrantëve ilegalë në Shtator 2017. Kurse vëllezërit Marku akuzohen edhe për strehimin e emigrantëve të paligjshëm midis viteve 2014-2017 në banesën e tyre në Londër.

Prokurori Christopher Amis tha se të akuzuarit “ishin pjesë e një komploti të mirëorganizuar për të trafikuar me anije 17 shqiptarë nga brigjet e Francës në Mbretërinë e Bashkuar në Maj 2016”.  Në varkën me të cilën po kontrabandoheshin, policia britanike gjeti të fshehur 17 emigrantët shqiptarë gjatë aksionit më 23 Maj 2016.

Jimmy e Jetmir Marku dhe Alex Sefolli mohojnë akuzat se kanë krijuar kushtet për lehtësimin e emigrimit të paligjshëm. Jetmir Marku dhe Sefolli mohojnë gjithashtu edhe akuzën e komplotit se kanë krijuar kushtet për lehtësimin e emigracionit të paligjshëm. Gjyqi ndaj tyre vazhdon. /tvklan.al

Të ngjashme
UKT