Një elektricist ka ndërruar jetë në Mërtish të Lushnjes. Siç raporton gazetarja Anila Sefa dyshohet se atë e kanë zënë korrenti gjatë punës për lidhjen e linjës.
Viktima është Xh. Shtembari, 32 vjeç. Dyshimet janë që ngjarja ka ndodhur si pasojë e gabimit të një punonjësi.
“Pasditen e sotme, në fshatin Mërtish, shtetasi Xh. Sh., 32 vjeç, me detyrë elektricist, gjatë riparimit të linjës së tensionit të mesëm, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë ka humbur jetën”, njoftoi policia.
Shtembari duhej të punonte për lidhjen e linjës së re elektrike Gradisht-Mërtish. Por siç ka mësuar gazetarja Sefa nga nënstacioni i Gradishtës kanë ngatërruar dhe kanë stakuar linjën e gabuar.
Viktima ka hipur mbi shtyllë pasi ka marrë informacionin se është bërë fikja. Në atë moment ka ndodhur edhe tragjedia.
Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia. Autoritetet po punojnë për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes dhe aktualisht po hetojnë punonjësin që ka ngritur levën gabimisht.
Për këtë arsye ata që ishin në punë janë shoqëruar të gjithë në komisariat.Sipas burimeve të gazetares, 32-vjeçari la pas një fëmijë 2 vjeç./tvklan.al