Tereza Abdihoxha, mësuese e frëngjishtes prej 20 vjetësh në Xibrakë, në shkollën 9-vjeçare “Ramazan Bala” denoncon në “Stop” transferimin e saj në kushte të pamundura. Në 12 Nëntor i është komunikuar që do të japë 3 orë në javë në shkollën Xibrakë Katund. Por për atje nuk ka asnjë mjet transporti. 3 vjet më parë e ka provuar të japë mësim në këtë shkollë dhe përveçse e kanë sulmuar qentë u sëmur nga i ftohti. E vetmja gjë që kërkon Tereza është një mënyrë se si të shkojë në Xibrakë Katund.

Është gati tek 4 kilometra. Fugon për në Xibrakë Katund nuk ka. Dhe unë nuk e di se me çfarë do të shkoj. Duhet të shkoj një herë në javë të plotësoj 3 orë

”, tha Abdihoxha.

Mësuesja tha se kjo nuk është hera e parë që e çojnë atje.

Kam qenë edhe para 3 vjetësh, në vitin 2015. Kam punuar 2 muaj, në Nëntor dhe në Dhjetor. Në fund të Dhjetorit u sulmova dy herë nga qentë, pastaj më zuri një stuhi në rrugë dhe u sëmura keq, ndjenja dy javë e sa e sëmurë. Drejtoresha e Arsimit të asaj kohe më lejoi që të mos shkoja më dhe mësimin e ka vazhduar mësuesja që e jepte më përpara. Ikja me lekët e mija deri tek rruga e Shmilit e pastaj në këmbë, ndërsa të keqen më të madhe e kisha në kthim, sepse nuk kishte mjete.

Mësuesja kërkon që t’i sigurohet mjet. “

Jo lekët e transportit, dua mjet

”, tha ajo.

Gazetarja e STOP-it shoqëroi mësuesen në rrugën e saj drejt fshatit ku është caktuar të japë mësim, për ku një pjesë rruge i duhet ta bëjë në këmbë në vajtje, ndërsa kthimin e ka gjithmonë në këmbë.

Drejtoresha e shkollës “Ramazan Bala”, Lumturi Kadriu, thotë se nuk ka zgjidhje, por e pranon problemin.

Drejtoresha: Për të shkuar, ka me ça të shkojë, në kthim është që duhet të presë nja 2 orë autobusin që të vijë. Në kthim është problemi.

Gazetarja: Të fshatit tjetër?

Drejtoresha: Mësuesit e fshatit tjetër. Unë nuk kam mundësi. Kë të çoj? Mësuesja që është e ciklit atje, nuk mund ta japë atë lëndë. Tani përderisa një pjesë e rrugës është me makinë, ajo mund të presë. Ç’mund të them unë? Me transportin, që vjen në 13.30 kur vjen Serica, shkolla tjetër. Një ditë në javë është. Unë nuk kam zgjidhje. Unë çfarë zgjidhje t’i jap? Ia sugjerova Drejtorisë Arsimore, që një ditë në javë të më vinin nxënësit nga e 3-ta tek e 5-t, se 9 nxënës janë, por nuk më mbështeti sepse tha që nëse atyre nxënësve u ndodh diçka, bie mbi ne. Nuk kam asgjë personale me zyshën, ta them sinqerisht! E kuptoj deri në njëfarë mënyre, por nuk kemi rrugë tjetër.

Gazetarja e STOP pyeti dhe drejtorin e DAR Elbasan, Alqi Cabiri, i cili thotë se do të zgjidhet transporti ose 18 nxënësit e shkollës Xibrakë Katund do të vijnë në shkollën qendrore.

Alqi Cabiri: Do të marrësh pagesën që të takon për transportin. Për të tjerat do të bisedojmë me pushtetin vendor për mënyrën se si mund të lëvizësh.

Tereza Abdihoxha: Po ç’e dua pagesën unë, sepse nuk ka mjet? Nuk ka mjet.

Alqi Cabiri: Me mjetet që lëvizin. Tereza, unë jam për të mbrojtur interesat e nxënësve dhe të komunitetit. Unë dua që ata nxënës të bëjnë mësim. Është e drejtë kushtetuese e atyre. Unë nuk mbroj vetëm interesat e mësuesve, mësuesi duhet të sakrifikojë. Paguhet për atë punë dhe duhet të sakrifikojë. Shkolla Xibrakë 2, Xibrakë Fshat, është në fazën e dytë të përqendrimit.

Gazetarja: E vetmja gjë që ju kërkoj drejtor është që të keni mundësi të negocioni që deri në momentin që të bëhet ky përqendrim, të mundet që edhe Terezës t’i gjendet një mënyrë transporti pavarësisht kompensimit që mund t’i bëhet nga vlera monetare.

Alqi Cabiri: Patjetër, unë e kam për detyrë ta bëj një gjë të tillë. Për të gjithë mësuesit, për të gjithë transportet e mësuesve, duke i dhënë edhe vlerën monetare, edhe modalitetet se me çfarë mund të lëvizin.

/tvklan.al